Nishani: Fondet e BE, për sigurinë

18/04/2012 18:30

Gjatë një takimi të Bordit të palëve të interesuara, të PAMEKA 3, ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaroi se, të gjitha fondet e Bashkimit Europian për Shqipërinë janë shpenzuar duke kontribuar në rritjen e sigurisë në vend.

Sipas Nishanit, zbatimi i këtij projekti në rendin dhe sigurinë publike, krimet e rënda dhe ato të organizuara, menaxhimin e integruar të kufijve si dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, kanë qenë fushat ku operohet për ta sjellë Policinë e Shtetit në standartet e kërkuara të Bashkimit Europian.

Nishani vlerësoi punën e Policisë së Shtetit me ILDKP-në, por ai theksoi se duhet një bashkërendim institucional pune më i mirë, duke përdorur praktika të përditësuara.

Javën e kaluar ministri Nishani ishte i pranishëm në takimin e përvitshëm për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku duke iu referuar një raporti të Interpolit, u shpreh se kultivimi i kanabisit vazhdon në Shqipëri, por harta e tij vjen duke u zvogëluar.

Ndërsa më herët gjatë muajit, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurise, e thirrur nga deputetët socialistë, ministri i Brendshëm deklaroi se vendi e ka goditur ashpër krimin e organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA