Topi uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

14/04/2012 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar
Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë,
Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos shprehu urimet më të mira për
të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve
ortodokse.

“Më lejoni që me rastin e Festës së ndritshme të Pashkëve, t’ju uroj nga zemra Gëzuar dhe përshumëvjet! Dita e Pashkëve është ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit tek Zoti.Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes së jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar”, tha Topi.

Kreu i shtetit shprehu besimin se kjo ditë do të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve.

Top Channel