Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj ndërkombëtare janë duke marrë në shqyrtim dërgimin e një misioni prej 20-30 vëzhguesish të paarmatosur në Siri, në mënyrë që të mbikqyrin armëpushimin që ka nisur të zbatohet në vend që prej ditës së enjte.
Një projektrezolutë është përpunuar nga Uashingtoni dhe ajo pritet të votohet të premten në Këshillin e Sigurimit. Sipas një diplomati perëndimor të cituar nga BBC, nuk pritet që projekti të ndeshë në vështirësi për t’u miratuar.
Një projektrezolutë është përpunuar nga Uashingtoni dhe ajo pritet të votohet të premten në Këshillin e Sigurimit. Sipas një diplomati perëndimor të cituar nga BBC, nuk pritet që projekti të ndeshë në vështirësi për t’u miratuar.
Ambasadorët e pesë vendeve me fuqi vetoje, përfshi të Kinës dhe Rusisë, të cilat kanë hedhur më parë poshtë disa plane të ndryshme rreth Sirisë, janë shprehur në mbështetje të idesë së monitoruesve.
Nëse do të zbatohet plani, vëzhguesit do të kenë akses në zonat në të goditura nga konflikti midis qeverisë së Assad dhe kryengritësve. Ata do të verifikojnë nëse ushtria është tërhequr e gjitha nga qendrat e banuara dhe nëse rebelët po i përmbahen planit, për të mos provokuar autoritetet.
Dita e parë e armëpushimit, e enjtja, kaloi pa incidente të mëdha, ndërsa vetëm një i vrarë u regjistrua në luftime, nga disa dhjetëra në ditë që kishte qenë shifra normale e javëve të fundit.
Duke përfituar nga tërheqja e ushtrisë, protesta në shkallë madhore kundër qeverisë së Assad u mbajtën në disa qytete kryesore, ndërsa disa grupe opozitare kërkuan një marshim kombëtar kundër autoriteteve, pas lutjeve të ditës së premte.
Pavarësisht rikthimit të një paqeje relative në Siri, ekziston skepticizëm i thellë midis vendeve perëndimore mbi mundësinë që armëpushimi do të respektohet deri në fund prej autoriteteve.
Plani prej gjashtë pikësh, që është pranuar nga të dyja palët ndërluftuese, qeveria dhe kryengritësit, parashikon:
1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.
Në total, në më shumë se një vit përleshje në Siri, mbi nëntë mijë persona kanë humbur jetën, vlerëson OKB. Megjithatë, përfaqësues të grupimeve opozitare jashtë Sirisë përflasin për një shifër prej 20 mijë viktimash.
Top Channel