“Sony”, minus 10 mijë vende pune

12/04/2012 00:00

Kompania elektronike “Sony” ka konfirmuar se do të shkurtojë 10 mijë vende pune si pjesë e një riorganizimi masiv.

Drejtori ekzekutiv i kolosit japonez, Kazuo Hirai ka deklaruar se shkurtimet, që përbëjnë 6 për qind të krahut të punës në rang global, do të bëhen në 12 muajt e ardhshëm.

Reduktimi përfshin edhe stafin që punon në sektorin e biznesit, kryesisht ata punonjës që merren me shitjet, si dhe divizionin për lëndët kimike.

“Sony” është përpjekur së fundmi të konkurrojë në tregun e televizorëve me kompanitë koreano-jugore “Samsung” dhe “LG”, ndërsa “Apple” e ka sfiduar atë me aparate audio dhe iPhone.

Ditën e martë, “Sony” parashikoi një humbje vjetore rekord prej 6.4 miliardë dollarësh, dyfishi i vlerësimeve të bëra më parë. Ndërsa vlera e aksioneve të kompanisë ra me 40 për qind në 12 muajt e fundit.

Gjigandi aziatik deklaron se tani do të përqendrohet në tre sektorë, aparatët fotografikë dixhitalë, platformat e videolojrave dhe tek telefonat celularë.

Ai shpreson që shkurtimet të ndihmojnë në gjenerimin e 10.5 miliardë dollarëve përmes shitjeve duke filluar nga ky vit e deri në mars të 2015-ës, me një marzh përfitimi prej 5 për qind. Vitin e kaluar financiar, “Sony” raportoi shitje prej 7.9 miliardë dollarë.

Top Channel