Gjykata Europiane rrëzoi kërkesën e një çifti gjerman, motër e vëlla në një marrëdhënie inçesti, për të patur një jetë bashkëshortore të njohur nga ligji.
Patrick Stuebing dhe Susan Karolevski kanë 4 fëmijë nga marrëdhënie e tyre, dy prej të cilëve me probleme mendore. Gjykata argumentoi vendimin e saj se ligjet gjermane ndalojnë inçestin.
Patrick, pas lindjes humbi kontaktet me familjen e tij dhe i rivendosi ato rreth moshës 20-vjeçare. Pas vdekjes së të ëmës, Patrick dhe motra e tij, Susan nisën të jetojnë bashkë. Pas disa viteve ata kërkuan të kurorëzohen në martesë sipas ligjeve, por kjo iu refuzua për shkak të gjakut të përbashkët.
Patrick Stuebing u dënua nga drejtësia gjermane për inçest me 3 vite burg, ndërkohë që motra-bashkëshorte e tij u shpall e pafajshme, pasi vuan nga “çrregullimi i personalitetit” dhe është pjesërisht e përgjegjshme për veprimet e saj.
Çifti thotë se “dashuria e tyre bashkëshortore nuk ka asnjë ndryshim nga dashuria mes personave të tjerë” dhe për këtë vendosën që të padisin autoritetet gjermane në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për diskriminim.
Por Gjykata Europiane rrëzoi kërkesën e tyre duke mbrojtur vendimin e autoriteteve gjermane duke shtuar se ligji që ndalon inçestin nuk dhunon liritë dhe të drejtat e njeriut.
Inçesti është i dënueshëm në legjislacionin e pjesës më të madhe të vendeve të botës për mbrojtjen e vlerave të familjes, por edhe për faktin se nga një bashkim i tillë, mundësia për lindjen e fëmijëve me probleme mendore, është disa-fish më e lartë.
Top Channel