Përpara disa kohësh ‘Pasdite në Top Channel’ realizoi një emision mbi dhunën ndaj grave, frymëzuar nga vrasje të njëpasnjëshme të grave nga burrat e tyre që ndodhën gjatë këtij viti.
Emisoni mbaroi dhe jeta vazhdoi rrjedhën e saj deri sa 10 ditë më parë, tek Piramida, tre gra kërkojnë të takojnë gazetarët e ‘Fiks Fare’. Këtë radhë, tre gra të dhunuara nuk ankoheshin siç ka ndodhur rëndom se kërcënoheshin nga bashkëshortët e tyre.
Por tashmë, si të mos mjaftonte jetesa e vështirë, tmerri që kishin kaluar, atyre u duhej të përballeshin me një tjetër tmerr që vinte nga brenda qendrës ku kishin shkuar të mbroheshin: ato ndiheshin të dhunuar nga përgjegjësi i asaj qendre që për më tepër është grua. Dodona Kaloshi i kërcënonte e dënonte vazhdimisht gratë.
“Jemi ndjerë shumë të kërcënuara dhe të ofenduara nga drejtoresha e qendrës. Kam shkuar dhe i kam thënë nuk kam asnjë lek të dal të marr urbanin të kërkoj punë e më tha “gjeji ku të duash, ik kërkoja dashnorit”. Më ka thënë “rrugaçe, do t’i marr rreckat e do t’i hedh përjashtë”. E vendosa se nuk mund të rri më sepse nga ajo sharje kam ikur nga ish-burri”, shprehet një nga gratë.
“Drejtoresha kur të merrte te zyra vetëm të fyente, të ofendonte. Na thonte “Keni qenë rrugëve prandaj keni ardhur këtu, unë ju rrah” etj.”, thekson një tjetër.
“Na kanë kërcënuar, na kanë ofenduar. Na thonin se do na nxirrnin nga qendra. Ne kërkonim të drejtat tona, ato nuk na i jepnin. Se dimë as vetë ku do shkojmë, ku do përfundojmë.”, deklaron gruaja e tretë.
Një nga gratë e qendrës gati u verbua ndërsa shoqëronte fëmijët në shkollë. Gruaja që ishte në qendër për t’u mbrojtur nga burri nuk u mbroj.
Drejtoresha u prononcua dje për Fiks Fare dhe ndërkohë që mohoi akuzat ajo tha këtë për mbrojtjen: “E dalura është me çështje dëshire dhe të tilla incidente janë të pashmangshme. Nuk është e mundur që gratë të shoqërohen gjithmonë nga policë pavarësisht marrëdhënieve shumë të mira që kemi me Policinë e Shtetit. Shoqërimi bëhet vetëm në raste shumë të rralla.”
Top Channel