Aleanca Kuq e Zi: Berisha keqpërdor identitetin kombëtar

10/04/2012 09:55

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar të martën ndaj një deklarate të bërë më herët nga kryeministri Berisha për lidhjen mes shqiptarëve dhe turqve.

Sipas AKZ, përmes këtyre deklaratave, kryeministri kërkon të largojë vëmendjen nga problemet e vërteta që ka aktualisht vendi.

“Berisha flet përçart kur thotë se kemi lidhje gjaku me turqit. Me këto deklarata Berisha kërkon të largojë vëmendjen nga gjendja e vendit. Berisha harron se jemi në krizë ekonomike”, kane deklaruar drejtues te Aleances.

Grupimi i drejtuar nga ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka nënvizuar se kryeministri Berisha po përdor identitetin kombëtar për interesa personale.

Aleanca ka shtuar më tej, se 100-vjetorin e pavarësisë nga Turqia do ta festojë pa Berishën, por me një delegacion të përbërë nga pasardhësit e presidentit Willson.

“Shqipëria dhe shqiptarët janë simbol i civilizimit perëndimor. Rruga e shqiptarëve do të ecë sipas demokracisë evropiane dhe asaj amerikane”, ka përfunduar Aleanca Kuq e Zi në reagimin e saj.

Muajin e kaluar Aleanca u regjistrua si parti në gjykatën e Tiranës, duke shprehur ambicjen e saj për të garuar si një subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Po muajin e kaluar, Aleanca akuzoi qeverinë dhe ministrin e Inovacionit, Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo se kanë dërguar në Athinë të dhënat zyrtare të censusit dhe nuk po e publikojnë atë për shkak se janë në pritje të direktivave greke.

Ndërsa në fillim të prillit, në përvjetorin e Dëshmorit të Kombit Indrit Cara, Aleanca Kuq e Zi organizoi një manifestim përkujtimor në qytetin e Kavajës nga ku kreu i saj etiketoi si tradhtarë të interesave të vendit klasën sunduese aktuale të grumbulluar rreth kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA