Gjashtë muaj nga përfundimi i procesit të regjistrimit të popullsisë, partia Aleanca Kuq e Zi ka akuzuar qeverinë dhe Ministrin e Inovacionit, Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo se kanë dërguar në Athinë të dhënat zyrtare të censusit e nuk po e publikojnë atë për shkak se janë në pritje të direktivave të Athinës.

“U mbushën gjashtë muaj nga përfundimi i asaj që Berisha dhe Genc Pollo e quajnë census dhe shqiptarët ende nuk kanë parë asnjë informacion përsa i përket etnisë dhe fesë. Qeveria shqiptare ka dërguar drejt Athinës raportin zyrtar të të dhënave dhe është në pritje të direktivave helene për të publikuar të dhëna të deformuara për kombin tonë. AK i bën thirrje qeverisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, jo të shqiptarëve, që të publikojë sa më parë të dhënat zyrtare të censusit për etninë dhe fenë në zbatim të ligjit dhe të afateve të përcaktuara prej tij për regjistrimin e popullsisë. Sot, pas gjashtë muajsh, Greqia nuk pranon të dhënat e censusit për shkak se shqiptarët iu përgjigjen pozitivisht thirrjes së AK për të mos iu përgjigjur kushteve helene, përkatësisht pyetjes për etninë dhe fenë në census. AK kërkon që qeveria të bëjë transparencë për të gjithë procesin e censusit për të cilin u harxhuan plot 14 milion euro, vetëm për të plotësuar haraçet e Athinës”, thuhet në deklaratën e Aleancës Kuq e Zi.

Top Channel