Ringjallja e Krishtit

08/04/2012 09:10

Me qindra besimtarë katolikë morën pjesë në meshën e madhe të Pashkëve në mesnatë, në katedralen e Tiranës.

Besimtarët kremtuan ringjalljen e Krishtit, për të vijuar me të dielën e shenjtë të Pashkës, momenti më i rëndësishëm i kësaj feste, që përbën një ditë të shënuar për qindra milionë besimtarë në të gjithë botën.

Në meshën e drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, iu përcollën urimet më të mira të gjithë besimtarëve katolikë dhe popullit shqiptar.

”Ringjallja e Krishtit është në qendër të kulturës së krishterë, që ka edukuar botën me frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndër shekuj. Ringjallja e Krishtit prek në të vërtetë çdo njeri, të krishterë apo jo, besimtarë apo jo, sepse tek Krishti merr jetë çdo vlerë njerëzore”, deklaroi Imzot Mirdita.

”Pashkët nuk janë historia e përpara dy mijë viteve, por janë historia jonë. Sepse ne jemi të krishterët e kësaj shoqërie dhe ne, sot, me shikimin e ngulitur tek Krishti i Ringjallur dhe me zemrën e mbushur plot me hare, i shpallim kësaj shoqërie lajmin e hareshëm, Krishti është ringjallur”.

Pashkët paraprihen nga një periudhë përgatitore argjërimi që quhet Kreshmë, e cila zgjat 40 ditë dhe nisin të mërkurën e përhirmtë, për të përfunduar në të dielën e palmave,  e fundmja përpara Pashkëve, që përkujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Jezusit, më lutje e argjërim, ndërsa tundohej nga Djalli.

Në këtë ditë të shënuar, drejtuesit më të lartë të shtetit i drejtuan urimet e tyre më të mira të gjithë katolikëve. Sakaq, dita e Pashkëve Ortodokse është e ndryshme, pasi ato do të festohen të dielën e ardhshme.

Pashkët, shtetarë dhe diplomatë urojnë katolikët

Katedralja katolike e Shën Palit në Tiranë i ka pasur dyert e hapura sot në mesditë, për të pritur urime nga përfaqësues të besimeve të tjera fetare, politikanë apo përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në fjalët e tyre Presidenti i Republikës, kryetarja e Kuvendit, kryeministri, por edhe lideri i opozitës, kanë uruar besimtarët katolikë në këtë ditë të shënuar.

Ata janë ndalur në simbolikën e Pashkëve, si ditë e ripërtëritjes së shpresës dhe besimit. Presidenti e ka lidhur këtë me nevojën për një dialog më qytetar në politikën e vendit, kurse kryeministri me rolin e kishës katolike në pavarësinë e Shqipërisë.

Top Channel