Presidenti i Malauit, Bingu wa Mutharika, ndërroi jetë në orët e para të së premtes disa orë pasi pësoi një ndalesë kardiake, konfirmuan burime spitalore dhe disa ministra për BBC.
Megjithatë, lajmi nuk është shpallur ende në vend, ku mediat lokale flasin se Mutharika ndodhet në Afrikën e Jugut për trajtim të specializuar.
78-vjeçari drejtonte me “dorë të hekurt” vendin që prej vitit 2004. Malaui, së bashku me Republikën Demokratike të Kongos, Somalinë dhe Burundin, janë shtetet me standartin më të ulët të jetesës në botë.
Sipas analistëve, ka shumë gjasa që vdekja e tij të krijojë një krizë kushtetuese. Sipas ligjeve në fuqi, zëvendëspresidenti merr pushtetin nëse presidenti ndërron jetë në detyrë apo është i paaftë ta ushtrojë atë.
Megjithatë, zëvendësi, Joyce Banda, pati një konflikt të ashpër me Mutharikën në vitin 2010, kur tentoi të merrte pushtetin dhe si rrjedhojë është përjashtuar nga partia e jeton në azil.
Funksionet e tij i ka zhvilluar Ministri i Jashtëm dhe vëllai i presidentit, Peter Mutharika, por Banda nuk është zëvendësuar kurrë zyrtarisht. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë planifikuar që të mbahen në vitin 2014.
Vendimi për të mos informuar popullin për vdekjen e liderit duket se është shtyrë pikërisht për këtë arsye, nga paaftësia e kabinetit për të shpallur se cili do të jetë udhëheqësi i ri i Malauit.
Që prej rizgjedhjes për një mandat të dytë në vitin 2009, Mutharika drejtoi vendin me të ardhura mesatare për frymë prej 30 dollarësh në muaj me një dorë gjithmonë e më autoritare, çka rriti presionin mbi të për t’u dorëhequr.
Akuzat për shpërdorime, nepozitëm, shkelje të të drejtave të njeriut dhe keqmanaxhim të ekonomisë kanë qenë të përhapura dhe shtetet perëndimore kanë ndërprerë ndihmat për vendin, duke kontribuar kështu në një mungesë pothuajse të plotë të karburanteve në treg për 15 milionë banorët e mjeruar të Malauit.
Top Channel