
Vëllezërit Mysliman sirianë, një formacion politik në ekzil, janë shprehur pro zgjedhjes së mundshme të një presidenti të krishter.
Deklarata është bërë nga lideri i lëvizjes islamike siriane, Riad Shafqa, në një prononcim për televizionin satelitor arab “Al Araiya”.
“Në Sirinë që do të pasojë rënien e regjimit të Bashar al Assad, ne Vëllezërit Myslimanë do të respektojmë rezultatet politike që do të dalin nga vullneti i popullit përmes zgjedhjeve”, ka thënë Shafqa.
“Dhe nëse president i Republikës do të zgjidhet një i krishter, ne do ta pranojmë me krahë hapur”, është shprehur më tej lideri i lëvizjes islamike.
Ndërkohë, mbi Damaskun po rriten presionet për një implementim të shpejtë dhe të qartë të planit të paqes me të cilin ra dakord presidenti Bashar Al Assad.
Plani përfshin kërkesën per t’ju përmbajtur datës 10 prill si afati i fundit i tërheqjes së trupave dhe automjeteve ushtarake nga zonat e banuara dhe vendosjes së armëpushimit 48 orë pas kësaj.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tërhoqi vëmendjen duke thënë se konflikti në Siri po shkon drejt përkeqësimit.
“Megjithëse qeveria siriane i pranoi propozimet e të dërguarit të posaçëm Kofi Annan për zgjidhjen e krizës, dhuna dhe sulmet në zonat civile nuk kanë rreshtur. Situata në terren vazhdon të përkëqësohet çdo ditë e më shumë”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Top Channel