Rrogozhinë, pronari padit policinë

06/04/2012 00:00

Një banor i Rrogozhinës ka paditur policinë bashkiake për ushtrim dhune. Skënder Gjumasi është pronar i një lokali në këtë qytet dhe tregon se ka hyrë në konflikt me bashkinë për shkak të këtyre bimëve që ka mbjellë në trotuarin para lokalit të tij.

“Më kanë dhunuar edhe familjen, kanë shtyrë gruan dhe kemi përfunduar në polici.Na kanë goditur me shqelma pa asnjë lloj shkaku. Edhe kjo lulishte është pronë e bashkisë, e kam investuar unë të gjithë me lekët e mia dhe është pronë e bashkisë”, thotë pronari i lokalit, Skënder Gjumasi.

Bashkëshortja e Skënderit tregon se është dhunuar nga policia bashkiake.

“Ne jemi të dhunuar, të ofenduar. Nuk na lënë rehat. Ne kemi 20 vjet që kemi këtë aktivitet këtu dhe nuk po na lënë rehat”, thotë bashkëshortja e Skënderit.

Por për bashkinë bllokimi i trotuarit është i jashtëligjshëm dhe ka krijuar probleme.

“Të gjitha hapësirat publike, pra edhe trotuaret të lirohen. Këtë ne vendosëm ta zbatojmë me një urdhër të posaçëm të dërguar paraprakisht të gjithë tregtarëve. Ne nuk kemi bërë asnjë shkelje dhe së shpejti do ta lirojmë këtë hapësirë publike sepse është vendim i këshillit bashkiak dhe ai tregtar do të ushtrojë aktivitetin atje ku ka dyqanin e tij pa e penguar ne, përkundrazi, ne do ta ndihmojmë nëse ka pengesa të tjera”, deklaron nënkryetari i Bashkisë së Rrogozhinës Izet Greca.

Për zyrtarët e bashkisë pretendimi për dhunë nga policia bashkiake nuk është i vërtetë.

Top Channel