OKB i vë kufi Sirisë

06/04/2012 00:23

Mbi Damaskun po rriten presionet për një implementim të shpejtë dhe të qartë të planit të paqes me të cilin presidenti Bashar Al Assad ra dakord.

Plani përfshin kërkesën per t’ju përmbajtur datës 10 prill si afati i fundit i tërheqjes së trupave dhe automjeteve ushtarake nga zonat e banuara dhe vendosjes së armëpushimit 48 orë pas kësaj.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tërhoqi vëmendjen duke thënë se konflikti në Siri po shkon drejt përkeqësimit.
 
“Megjithëse qeveria siriane i pranoi propozimet e të dërguarit të posacëm Kofi Anan për zgjidhjen e krizës, dhuna dhe sulmet në zonat civile nuk kanë reshtur. Situata në terren vazhdon të përkëqësohet cdo ditë e më shumë”, tha Ban Ki Moon.

Vetë hartuesi i planit, Anan e bëri të qartë se 12 prilli duhet të jetë dita e përfundimit të ofensivës ushtarake kundër opozitës në Siri.

“Ne duhet t’i bëjmë të heshtin tanket, helikopterët, mortajat dhe armët. Duhet të ndalojmë cdo formë dhune, abuzimesh, torture, vrasjesh, shkatërrimit të shtëpive, shpërnguljes së detyruar e cdo dhunim tjetër, përfshi atë të fëmijëve. Ia kemi shpejguar edhe opozitës se cfarë do të kërkohet prej saj, në rast se qeveria do t’i përmbahet detyrimeve të veta”, tha Anan.

Anan pritet të udhetojë drejt Iranit në 11 prill, një ditë pas skadimit të afatit për pushimzjarrin e pjesshëm, në përpjekje për të fituar mbështetje rajonale për planin e tij të paqes.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar prej tij propozime konkrete lidhur me një mekanizëm i cili të mbikqyrë armëpushimin e të mbajë Këshillin e Sigurimit të informuar mbi zbatimin e planit dhe fundin e dhunës.

Në varësi të raporteve që do t’i mbërrijnë në tryezë, organi më i fuqishëm i OKB-së do të vendosë mbi hapat që do të ndërmarrë.

Vendeve anëtare të organizatës u është kërkuar të kontribuojnë me trupa për misionin vëzhgues i cili do të mbikqyrë zbatimin e armëpushimit, masë kjo e parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA