Marinsi kritikon Obamën në Facebook

06/04/2012 00:00

Një marins amerikan po përballet me shkarkimin nga radhët e ushtrisë pasi ka kritikuar presidentin Barack Obama në faqen e tij në Facebook.

Rreshteri Gary Stein vendosi fytyrën e presidentit Obama në posterat e disa filmave, mes të cilëve ai komedi me titullin “Jackass”.

Prokurorët deklaruan se rreshteri Stein i ka injoruar paralajmërimet e vazhdueshme të eprorëve të tij dhe se vendosja e materialeve të tilla bie ndesh me rregullat ushtarake.

Nga ana e tij, marinsi insiston se ka të drejtën kushtetuese të lirisë së fjalës. Një bord disipline rekomandoi që ai të shkarkohet nga detyra dhe madje në mënyrë të çnderuar.

Tani i takon një oficeri të vjetër të ushtrisë të vendosë nëse ta pranojë ose jo rekomandimin në fjalë. Bordi dëgjoi se rreshteri Stein kishte thënë se nuk do t’i ndiqte urdhërat e presidentit nëse në to do të përfshihej shkelja e të drejtave të qytetarëve amerikanë.

Marinsi thotë se opinionet e tij janë vetëm të tijat dhe ka vendosur një deklaratë për ta sqaruar atë në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Ushtria amerikane ka prej kohësh një politikë që kufizon deklaratat e lira të anëtarëve të saj, përfshirë kritikat ndaj presidentit, që është edhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Top Channel