Bossi largohet nga “Lega Nord”

06/04/2012 01:40

Lideri dhe themeluesi i Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi dha dorëheqjen nga posti i sekretarit pas skandalit që përfshiu partinë e tij, një formacion i djathtë me tendencë të veçantë kundër emigracionit.

Nga tre linja hetimi, në prokuroritë e Milanos, Reggio Calabrias dhe Napolit, janë zbuluar lëvizje të dyshimta fondesh të partisë, përdorimi i tyre për shpenzime personale të Umberto Bossit dhe lidhje të mundshme me Ndranghetën, mafia e fuqishme kalabreze.

Fillimisht ka përfunduar nën hetim drejtuesi i zyrës së thesarit të partisë Francesco Belsito, por me sa duket, nga përgjimet dhe shqyrtimi i dokumentave të sekuestruara në zyrat e ndryshme të Lidhjes së Veriut, kanë dalë në pah shkelje edhe nga ana e eskponentëve të tjerë.

Vetë Umberto Bossi duket se ka derdhur në arkat e partisë së tij shuma të mëdha parash që dyshohet se janë ryshfete ose të ardhura të pa dokumentuara e me prejardhje të dyshimtë.

Por janë vërtetuar edhe dalje parash për shpenzimet personale të familjes se liderit, për rregullimin e vilës, makina luksoze apo studimet e fëmijëve.

Deri në kongresin e partisë, që mendohet se do të zhvillohet në fillim të vjeshtës, drejtimi mund t’i besohet treshes së eksponentëve: Roberto Calderoli, Emanuela del Lago dhe Roberto Maroni. Njerez vjet pas zgjedhjeve të vitit 1992, kur Lidhja e Veriut shënoi fitoren e parë të vërtetë politike, ajo humb themeluesin e saj. E bashkë me të dhe famën e një partie të pastër, në shërbim të qytetarëve dhe larg korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA