Pesë ish-agjentë policie në Nju Orlins të Shteteve të Bashkuara janë burgosur nga autoritetet lokale pasi u shpallën fajtorë se qëlluan 6 civilë të paarmatosur, dy prej të cilëve humbën jetën, pas ngjarjeve që rodhën pas uraganit Katrina.
Afatet e burgimit variojnë nga gjashtë deri në 65 vjetë burg për të shtënat në Danziger Bridge, në shtator të vitit 2005.
Katër nga oficerët ishin shpallur fajtorë për sulme me armë zjarri, ndërsa i pesti sepse u mundua të mbulonte veprimet e tyre. Oficeri vendosi një armë dhe sajoi dëshmi të rreme për t’i nxjerrë të shtënat e kolegëve të justifikuara.
Robert Faulcon, 48 vjeç, mori dënimin më të gjatë prej 65 vjetësh; Kenneth Bowen dhe Robert Gisevius, përkatësisht 38 dhe 39 vjeç, morën nga 40 vjet secili; ndërsa Anthony Villavaso, 35 vjeç, u dënua me 38 vjet burg.
Rreshteri Arthur Kaufman, i cili u caktua për të hetuar ngjarjet, mori një dënim prej gjashtë vitesh burg për faktin se u përpoq të mbulonte në mënyrë ilegale veprimet e oficerëve.
Më 4 shtator të vitit 2005, agjentët Faulcon, Bowen, Gisevius dhe Villavaso ishin mes shumë oficerëve që iu përgjigjën një thirrjeje në radio se disa policë po sulmoheshin me armë zjarri në afërsi të urës.
Ata hapën zjarr me pushkët e tyre ndaj anëtarëve të një familjeje që po kalonte në urë dhe ndaj një personi që po largohej nga vendi i ngjarjes. Si pasojë, një çift nga Nju Orlins, e bija dhe nipi mbetën të plagosur, ndërsa një mik i familjes, 17-vjeçari James Brissette, mbeti i vrarë nga të shtënat.
Top Channel