Grupi i piratëve të internetit “Anonymous” sulmoi mbi 500 faqe interneti në Kinë, midis të cilëve edhe uebsajte të institucioneve qeveritare, agjensive zyrtare të lajmeve, grupeve të biznesit dhe shumë të tjera.
Në një mesazh që shfaqej pas goditjes së faqes, grupi i “hackers” shprehej se po e realizonte këtë sulm si një formë proteste ndaj kontrollit strikt dhe kufizimeve të shumta që autoritetet i kanë vendosur përdoruesve të internetit në vend.
Mesazhi i bënte thirrje kinezëve që t’i bashkoheshin “Anonymous”, duke u bashkuar kështu në protestë kundër regjimit.
”E dashura qeveri e Kinës, ju nuk jeni të pamposhtshëm. Faqet e internetit sot janë rrëzuar. Nesër, do t’i vijë radha regjimit tuaj”, shkruhej në një pjesë të mesazhit, të shfaqur në anglisht dhe kinezçe.
Kina ka një prej sistemeve të mbikqyrjes së internetit më të sofistikuar në botë, të quajtur ndryshe si Muri i Madh Kinez, i cili pengon lundrimin në faqe që kritikojnë qeverinë dhe të tjera të konsideruara se bien ndesh me moralin e shoqërisë.
Në faqet e vendosura nën kontrollin e “hackers”, ishin publikuar edhe mënyrat se si njerëzit e zakonshëm mund të arrijnë t’i shmangen kontrolleve dhe kuzifimeve të vendosura prej autoriteteve.
Top Channel