Të paktën dhjetë grupe zjarrëfiksish u dyndën pasditen e së enjtes në një reaktor bërthamor në veri të Francë, ku shtëllunga të zeza tymi u filmuan nga mediat franceze pas rënies së një zjarri.
Pavarësisht alarmit, kompania që operon centralin bërthamor, “EDF”, shprehet se situata u vu shpejt në kontroll dhe se reaktori ishte mbyllur prej disa orësh, që në momentin e dhënies së alarmit.
Sipas informatave të fundit, dy vatra zjarri u shuan rreth orës 18:00. Ngjarja ndodhi në Diepe, në prefekturën e Ruenit, pranë Parisit.
”Askush nuk është dëmtuar dhe incidenti nuk ka sjellë pasoja për mjedisin”, deklaroi “EDF” nëpërmjet një komunikate.
Ndonëse arsyet që shkaktuan këtë incident janë nën hetim, besohet se ishte një rrjedhje vaji të nxehtë nga reaktori që u bë shkas për fillimin e zjarrit.
Incidenti rikthen edhe një herë në vëmendje debatin nuklear në vend, në qendër të vemendjes pas krizës që kaloi Japonia në Fukushima, pas tërmetit dhe tsunamit madhor që përjetoi një vit më parë.
Sipas protestuesve, asnjëherë nuk mund të ketë një mbrojtje 100% të sigurt nga incidente të mundshme bërthamore. Megjithatë, Franca siguron 75% të nevojës së saj për energji nga reaktorët.
Incidenti bërthamor më i rëndë në kohë paqeje vazhdon të jetë ai i Çernobilit në vitin 1986, i cili solli pasoja të parikuperueshme, duke krijuar një perimetër rrezatimesh rreth qytetit të Pripiatit, në Ukrainë.
Top Channel