Elbasan, mbetjet urbane, paralajmërohen vendorët

05/04/2012 00:00

Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi ka mbledhur të gjithë krerët e
Komunave të Qarkut, për të diskutuar mbi ndotjen e mjedisit.

Ai ka kërkuar prej tyre qe territoret, që ata kanë në administrim të pastrohen nga mbetjet urbane dhe të ketë një menaxhim të mirë të tyre pasi sezoni turistik po afrohet. Takimi i zhvilluar vjen menjëherë pasi Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje rrezikun e sezonit turistik, pikërisht për shkak të mbetjeve.
 
Ndërkaq Kreu i Agjensisë Rajonale të Mjedisit, Adi Madhi është shprehur se nuk ka koordinim të punës mes institucioneve përkatëse, duke provokuar ndotje masive të mjedisit. Ai ka folur me tone të ashpra duke thënë se në cdo njësi vendore ekzistojnë zyra për mjedisin, por ato janë jofunksionale dhe asnjë prej specialistëve nuk ka një plan veprimi për menaxhimin e mbetjeve.

Njëkohësisht Madhi ka kërkuar që krerët e njesive vendore të marrin masat për pastrimin e territorit  që ata kanë në përgjegjësi  deri më datë 20 prill. Gjobat që janë vendosur për këtë arsye do të pezullohen deri në datën 20 prill dhe pas kësaj date, nëse do të jetë e njëjta situatë, atëherë përvec gjobës do të ketë edhe ndjekje penale.

Madhi u shpreh se të gjitha njësitë vendore kanë leje mjedisore, për grumbullimin e mbetjeve urbane, por Elbasani vijon të mbetet një bombë ekologjike për qytetarët.

Top Channel