21 janari në 2 prill dhe “kultura” e vrasjes së opozitës

05/04/2012 00:00

Andrea Stefani – Jozefina Topalli u shfaq në Shkodër në një ceremoni përkujtimore për të
rënët e 2 prillit 1999. Si guxon ta bëjë një gjë të tillë?

Pyetja nuk ka të bëjë me vetë martirët. Ata ishin 4 të rinj që u vranë, ndërsa protestonin përpara godinës së Komitetit të Partisë së Punës kundër diktaturës komuniste. Ndaj kujtimi i tyre është i shenjtë për këdo që vërtet çmon lirinë dhe demokracinë. Dhe pikërisht për këtë shkak është e padurueshme që politikanë të sotëm, që i kanë vënë këmbën idealit të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, të keqpërdorin gjakun e martirëve të lirisë për të maskuar vrasjen e demokracisë dhe lirisë. Që në fakt është taktika e vjetër dhe e njohur e diktaturës komuniste. Një diktaturë që përdori gjakun e dëshmorëve të rënë në luftën për çlirim nga pushtuesit e huaj për të betonuar sundimin dhe dhunimin e shqiptarit nga shqiptari për 45 vjet rresht. Një gjë të tillë po bën sot edhe Topalli. Po orvatet të keqpërdorë gjakun e të rënëve të 2 prillit për të përjetësuar sundimin e pushtetit berishist. Madje dhe për të përligjur krimet e tij. Dhe ka paturpësinë ta bëjë një gjë të tillë ndërsa nuk është tharë gjaku i 4 protestuesve të vrarë më 21 janar. Edhe këta katër martirë të tjerë të lirisë nuk i vrau diktatura komuniste, por pikërisht pushteti “demokratik”. Të akuzosh rreptë diktaturën për vrasjen e 4 demonstruesve 20 vjet më parë, kur sapo ke bërë vetë një të tillë krim të përbindshëm? Këtë maskaradë të skajshme vetëm pushteti berishist ka paturpësinë ta bëjë!

* * *

Por cili është racionalizimi, kush është avokatia me anë të së cilës Topalli ia përligj vetes një hipokrizi të tillë? Janë po ato të një pushteti shtypës. Ka ndodhur edhe më parë me pushtetin komunist. Për këto lloj pushtetesh vrasja e njeriut nuk është krim kurdoherë dhe në çdo vend. Sipas tyre, ka disa momente kur të vrasësh qytetarë, demonstrues apo opozitarë, do të thotë të bësh detyrën ndaj “Atdheut”, “popullit” dhe “demokracisë”. Me të tilla racionalizime diktatura komuniste përligji vrasjen dhe persekutimin e opozitës në 45 vjet sundim. Të njëjtën “logjikë”, të njëjtën “kulturë” të vrasjes po aplikojnë edhe demokratët në pushtet. Është fare e qartë se për Jozefina Topallin vrasja e 4 protestuesve nga pushteti komunist është një krim, ndërsa vrasja e 4 protestuesve nga pushteti demokratik jo vetëm nuk është një krim, por është mbrojtje e pushtetit legjitim! Janë vetë deklarimet e Topallit, të kësaj gruaje që e ka krenari të shitet e fortë si burrë, që të çojnë në një konkluzion të tillë. Në vitin 2005, gjatë fushatës elektorale që risolli PD-në dhe Berishën në pushtet, ishte pikërisht kjo zonjë e “hekurt” (por që s’ka asgjë të përbashkët me parimet konservatore apo elokuencën e zonjës Theçer) që deklaroi publikisht se Berisha kishte bërë gabim kur gjatë qeverisjes së tij të parë që përfundoi me rrënimin e shtetit, nuk u kish dhënë plumbin ballit disa opozitarëve. Kuptohej se Topalli mendonte që po të kish ndodhur një gjë e tillë, pra po t’ia kish dhënë Berisha plumbin ballit opozitës, punët e Shqipërisë do të kishin vajtur më mirë. Dhe ja pas rreth 6 vjet nga ai deklarim, Berisha më në fund e korrigjoi “gabimin”, dëgjoi këshillën e hershme të Topallit dhe ia futi me plumb ballit opozitës, duke vrarë disa demonstrues mu përpara dritares së zyrës së tij. Berisha nuk përsëriti “gabimin” e qeverisjes së tij të parë dhe afërmendsh Topalli duhet të jetë ndier e kënaqur. Ajo, Berisha, por edhe shumë nga mbështetësit e qeverisë, besojnë se vrasja e qytetarëve më 21 janar është e ligjshme, është një vrasje e mirë, është, në mund ta themi kështu, një krim i mirë.

* * *

Propaganda e qeverisë punon çdo ditë që t’i shesë vrasjet e protestuesve më 21 janar si vrasje të domosdoshme për rendin kushtetues. Jo rastësisht menjëherë pas masakrës disa ministra dhe deputetë të PD-së u angazhuan në një fushatë të ethshme për mashtrimin e opinionit publik. Vetë Kryeministri u përfshi në këtë megarrenë, duke deklaruar, fillimisht, se demonstruesit ishin vrarë nga afër prej vetë opozitës. Më pas shtoi një tjetër marrëzi: kundër qeverisë na qenkësh organizuar një puç deri edhe me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës dhe kryeprokurores! I gjithë ky rrëmet mashtrimesh, tipik për nazistët (dhe këta të fundit nuk qenë gjë tjetër veçse banditë të ardhur në pushtet me votë e shantazh) synonte t’i bënte shqiptarët të besonin se vrasja e protestuesve ishte e përligjur: I vramë se “sulmuan Kryeministrinë”, se deshën “të merrnin pushtetin me dhunë”. Ky ishte nënteksti i propagandës se qeverisë dhe i përgëzimeve që Berisha i bëri komandantit të Gardës “heroit” që sot akuzohet për vrasje. Por të gjitha mashtrimet e qeverisë, që të kujtojnë propagandën e regjimit komunist pas hedhjes së bombave në ambasadën sovjetike, nuk patën kohë të “vërtetoheshin”. Sepse ishin mediat ato që i raportuan me figurë publikut shqiptar dhe botës, se si kishin ndodhur vrasjet, se plumbat kishin ardhur nga oborri i Kryeministrisë, nga armët e gardistëve, se të vrarët ishin shumë larg atij oborri. Asnjë prej hetimeve, as nga prokuroria madje as edhe nga një komision hetimor parlamentar i ngritur nga Berisha, nuk ka mundur të faktojë organizmin e ndonjë puçi të organizuar nga opozita sikundër akuzonte Kryeministri. Bashkë me “Puçin” kanë rënë edhe akuzat për armatosjen e demonstruesve me gjoja çadra pistoletë, thika me helm, me dinamit e kallashë. Nuk do të jetë aspak çudi që Berisha të përpiqet t’i “vërtetojë” këto akuza më vonë, atëherë kur të ketë caktuar në postin e kryeprokurorit një delfin të tijin. Vite më parë, anëtar i PPSH-së, duket Berisha trashëgon aftësinë e regjimit komunist për të përdorur prokurorët në funksion të ndëshkimit “me ligj” të kundërshtarëve. Por shumëkush e ka kuptuar ndërkohë se akuzat kundër opozitës për 21 janarin janë veç një mashtrim propagandistik i Berishës për të larë duart për vrasjen e demonstruesve. Një mashtrim që, gjithsesi dhe për turp të shtetit shqiptar, i dha mundësi Berishës të qëndrojë në pushtet edhe pse vrau gedafçe në emër të pushtetit.

* * *

Të katër të rinjtë që ranë më 2 prill para godinës së Komitetit të PPSH-së në Shkodër u flijuan që, 20 vite më pas, 4 burra të tjerë të vriteshin nga qeveria “demokratike” vetëm sepse po ushtronin të drejtën e tyre për të protestuar, të drejtë që ka në themelet e saj edhe gjakun e martirëve të 2 prillit. Arben Broci nuk dha jetën që qeveria “demokratike” të vriste 20 vjet më vonë Ziver Veizin; Bujar Bishanaku nuk u bë martir që “demokratët” të kishin të drejtë të vrisnin Hekuran Dedën; Besnik Ceka nuk derdhi gjak kundër komunizmit që demokratët 20 vjet më vonë të derdhnin gjakun e Faik Myrtajt në emër të “demokracisë” dhe gjaku i Nazmi Kryeziut nuk mund të shërbejë për të maskuar faktin e tmerrshëm se 21 janari ishte po ashtu një masakër e një pushteti sikundër edhe ajo e 2 prillit. Filli që bashkon këto dy data në skajet e tranzicionit është i përgjakur. Ai dëshmon se sa e vështirë është të ndryshojë natyra e qeverisjeve në Shqipëri, pavarësisht ndryshimit nominal të sistemeve, sesa të gatshme janë qeveritë për të vrarë në emër të pushtetit edhe kur mbajnë mbi vete apelacione demokratike. Pak ditë më parë, Topalli akuzoi Gramoz Ruçin se kish urdhëruar vrasjen e 4 demonstruesve më 2 prill. Edhe pse një akuzë e tillë nuk është vërtetuar as nga një proces gjyqësor, edhe pse ka zëra se njerëz të PD-së kanë obstruktuar hetimet duke penguar ekzaminimin e plumbave të gjetura në trupat e martirëve. Por Topalli këmbëngul ta akuzojë Ruçin vetëm pse ishte ministër i Brendshëm, kur ndodhën vrasjet e 2 prillit. Ajo këmbëngul në këtë akuzë edhe pas 20 vjetësh vetëm sepse Ruçi është një nga liderët e opozitës politike. Topalli kërkon ta përdorë gjakun e martirëve të 2 prillit për të luftuar opozitën. Ndërkaq ajo “harron” ta akuzojë Lulzim Bashën, ministrin e Brendshëm të 21 janarit, për të njëjtin krim. Nuk kërkon që Lulzim Basha të shkojë të paktën në gjyq sikundër kërkuan për ish-homologun e tij socialist Ruçi. Nuk e bën, sepse për Topallin, vrasjet e 21 janarit janë të ligjshme. Për Topallin, Berishën e K°, 4 martirët e rinj të opozitës dhe të demokracisë, e meritonin plumbin ballit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel