Nga një vëzhgim i levizjes “Alternativa Civile” rezulton 30 % e të
zgjedhurve vendorë, që dolën nga zgjedhjet e fundit lokale të 8 Majit
janë duke konsumuar mandate për të tretën ose të gjashtën herë.
Përballë një realiteti të papranueshëm për demokracinë, e kthyer në monopol të disa individëve duke privatizuar qeverisjen lokale, Alternativa Civile nisi një debat publik duke propozuar ndryshime në ligjin për të limituar numrin e mandateve
“Duke mbrojtur idenë se çdokush konsumohet nga e koha e gjatë e qëndrimit në pushtet, se ai shterron edhe idetë dhe energjitë dhe në kushtet kur standardet e demokracisë dhe morali politik lënë shumë për të dëshiruar, ne propozojmë prodhimin e mekanizmave ligjorë për të limituar deri në dy mandate kohën e qeverisjes për të zgjedhurit vendorë”, tha Mentor Kikia, nga Alternativa Civile.
Deputetët pjesëmarrës në tryezën e parë por jo të fundit, ku mori rrugë kjo nismë, mbështetën propozimin e Alternativës Civile.
“Aktualisht në qarkun e Kukësit ka prej 20 vitesh që në shumicën e komunave të qarkut të Kukësit, Has, Tropojë kemi për të njëjtët persona, të cilët në zgjedhjet e 8 Majit, disa prej tyre meqënëse kishin arritur edhe në njëfarë moshe, njeri prej tyre, donte të vinte djalin e tij”, tha deputeti socialist Asllan Dogjani.
“Në të gjitha periudhat, kur vinte momenti për të zgjedhur kandidatë për minibashkitë, përfshiheshim në një proces i cili realisht, shpesh ne nuk e realizonim dot atë standard, që kishim ne si subjekt, për shkak pikërisht të rezistencës ose të vështirësive që kishim në komunikim me kryetarët aktualë, që ishin të minibashkive”, tha deputeti tjetër socialist, Besnik Baraj.
“Këta kanë disa karakteristika të përbashkëta, të cilat i bëjnë në komunitetet ku ata drejtojnë, ne një lloj bajraktarizmi, po e quaj, në sensin e një të kaluare jopozitive, e administrojnë administratën dhe këshillin e tyre,thjesht si një oborr të brendshëm familjar, për të cilin nuk i japin kërkujt llogari”, tha deputeti socialist Gazmir Bizhga.
Ndërsa deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj hodhi disa propozime konkrete.
“Qenia për një kohë të gjatë në pushtet, i vendos ata, i pajis ata, me një arsenal të tërë instrumentash shumë herë e më të forta se çfarëdolloj sfidanti tjetër. A ka nevoje per te limituar keto mandate? Po ka nevojë. Përzgjedhja në shumë mandate të njëpasnjëshme, kjo është se ajo se çfarë duhet t’i vendoset limit. Kjo është një gjë që mund të vendoset edhe në Ligjin 8652 për Qeverisjen Vendore, përderisa Kushtetuta e lejon një gjë të tillë, që të mund të kesh të drejtë të kandidosh për dy mandate të njëpasnjëshme, por jo për të tretin. Mund të vazhdosh të kandidosh për të tretin, por me ndërprerje”, tha Alibeaj.
Pjesëmarres ne diskutim u shprehën se numri i atyre të cilëve janë shndërruar në pronarë të pushtetit është i madh dhe po kaq i madh është edhe dëmi që i bëjnë shoqërisë dhe demokracisë.
“Fakti që deputetë të dy krahëve bien dakord për një nismë tonën,tregon se po na shqetëson vërtetë problemi i atij që unë do ta quaja ‘despotizëm demokratik’, që nen emrin e demokracisë, me kartën e votës së lirë, të zgjidhesh të rizgjidhesh falë karizmës, mundësive, mënyrës se si i drejtohesh, të formulimit të një ideje që ke, të një programi etj”, tha Zamira Çavo, pedagoge.
“Kufizimi e ndërton demokracinë, por nuk e cënon atë. A mund të abuzohet edhe me dy mandate, sigurisht që edhe mund të abuzohet edhe me dy mandate. Nëse e vendosim dy mandate, një mandat pushim e pastaj sërish në pushtet, më duket se e kemi parë këtë në Rusi”, tha Bledar Kurti, pedagog.
Alternativa Civile thote se do ta shtrije debatin per kete çeshtje dhe do te krijoje nje grup pune per hartuar propozimet ligjore dhe per te lobuar prane Parlamentit.
Top Channel