Sukses i mjekëve në QSUT

04/04/2012 00:00

Romeo Dajlani, një fëmijë vetëm 2 vjeç, ishte braktisur nga e ëma sapo kishte lindur në maternitet, për shkak të një defekti të lindur në buzë.

Romeo ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale dhe përveç një fytyre normale prej të cilës nuk do t’i largohen më fëmijët e tjerë, tashmë do të ketë pranë edhe mamanë e tij që është rikthyer.

Ajo thotë se e brkatisi për shkak të traumas. “Lamë spitalin dhe pastaj e mori vjehrra, se mua më erdhi keq ta merrja ashtu”, thotë e ëma e Romeos.

Pas disa ditësh i braktisur në maternitet, Romeon e ka marrë  gjyshja e tij, e cila bashkë me fëmijën e vogël ka vijuar të lypë rrugëve. Ndoshta ka qenë zona ku kishte zgjedhur për të lypur gjyshja, pranë një shkolle, çka bëri që Romeo të shpëtonte nga ai defekt.

Psikologia e shkollës ka ndihmuar që ky fëmijë të shpëtojë nga ai defekt i lindur, duke e ndihmuar gjyshen që ta sillnin femijën për ndërhryje në Tiranë. Mjekët thonë se, e kryer në këtë moshë ndërhyrja konsiderohet e vështirë.

“Këto janë operacione të vështira, që bëhen kryesisht pas lindjes, por u bë pas 2 vitesh pasi kishte arsye speciale. Janë ndërhyrje të vështira dhe ndihen pas operacionit”, tregon kirurgu masko-facial Ramazan Isufi.

Drejtori i QSUT, Saimir Ivziku vlerësoi punën e mjekëve të QSUT, duke përfshirë sukseset e tyre në shumë ndërhryje të vështira.

“Së pari do më lejoni të shpreh vlerësimin maksimal për ekipin mjekësor. Një vëmendje shumë e madhe iu kushtua rastit në fjalë dhe është shumë e rëndësishme që ndërhyrja ka dalë shumë mirë”, tha Ivziku.

Romeo i vogël falë kësaj ndërhyrjeje të suksesshme u gëzon tashmë dy të mirave surprizë në jetën e tij në vazhdim.

Top Channel