NATO dhe Shqipëria në përvjetorë

04/04/2012 00:00

Roland Bimo – Më 4 prill mbushen 63 vjet nga krijimi i NATO-s, aleancës më të
suksesshme në historinë e njerëzimit. Arsyeja themelore e suksesit është
pikërisht esenca e saj si një aleancë jo vetëm ushtarake, por në radhë
të parë politike, e bazuar në vlerat e përbashkëta të shoqërive
liberal-demokratike.

Sot NATO është jo vetëm një nga instrumentet kryesore për sigurinë e SHBA dhe të vendeve anëtare, por edhe një qendër e rëndësishme për sigurinë botërore. Pikërisht në fillim të prillit të vitit 2008, vendi ynë mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe një vit më vonë u pranua si anëtar me të drejta të plota, duke u rreshtuar përkrah kombeve më të përparuara të globit. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria pikësëpari është më e sigurt se asnjëherë në historinë e saj përkundrejt rreziqeve të jashtme që mund të kërcënojnë lirinë, pavarësinë, integritetin territorial, pra ekzistencën e saj. Së dyti, ka rritur ndjeshëm ndjenjën e krenarisë kombëtare duke u bërë anëtare e grupit ekskluziv të demokracive më të përparuara të globit, së bashku me pasojat pozitive që krijohen për zhvillimin ekonomik të vendit. Së treti, rritet garancia e funksionimit të demokracisë brenda vendit, respektimit të të drejtave të njeriut, funksionimit të shtetit ligjor, garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Së katërti, anëtarësimi në NATO luan një rol të dukshëm në paqen dhe sigurinë rajonale, sepse si parakusht për anëtarësim është angazhimi për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe heqja dorë nga ndryshimet territoriale me forcë. Marrja e ftesës për anëtarësim koincidon me pavarësinë e Kosovës, veprime që vështirë të mendohet se nuk janë koordinuar me faktorin ndërkombëtar e të mos kenë të bëjnë me ruajtjen e status quo-së politike në rajon. Shqipëria anëtare në NATO dhe Kosova e pavarur dhe me një perspektivë të qartë euroatlantike, janë themelet e sigurisë për të ardhmen e parashikueshme të rajonit.

Anëtarësim i merituar apo pasojë e koniunkturave globale dhe rajonale.

Pozuar në këtë mënyrë, pyetja detyron edhe përgjigjen në mbështetje të një teze apo një tjetre, siç edhe ka ndodhur, ndërkohë që fare mirë përgjigjja mund të jetë diku në mes. Qeveria dhe ata pranë saj theksojnë se anëtarësimi në NATO ishte kryekëput merita e tyre dhe ata që janë më larg sofrës së pushtetit u mëshojnë koniunkturave globale.

Politika e zgjerimit të NATO-s në Lindje është përcaktuar në samitin e Madridit 1997 si instrument i stabilizimit dhe integrimit të gjysmës ish-komuniste të Europës, por edhe për të legjitimuar vetë ekzistencën e mëtejshme të NATO-s, në kushtet e zhdukjes së rrezikut sovjetik.  NATO dhe ShBA po bënin në drejtim të Europës Qendrore dhe Lindore pikërisht atë që kishin bërë menjëherë pas Luftës së Dytë për Europën Perëndimore, si një aleancë e shteteve, të cilat i lidhin vlerat e demokracisë, pikërisht ato vlera që i dallojnë SHBA dhe vendet e Europës nga vendet e tjera.

Por anëtarësimi në NATO nuk ishte një çështje e mbyllur për shkak të vullnetit të aleancës për të pranuar anëtarë të rinj. Aspirantët do të duhej të punonin shumë për të merituar të ishin pjesë e atij komuniteti vlerash, ekskluziv dhe të respektuar. Për këtë qëllim u hartuan programet përkatëse dhe specifike sipas vendeve dhe Shqipëria filloi qysh në vitin 1999 zbatimin e planit të veprimit për anëtarësim. U ndërmorën reforma të rëndësishme, të cilat përfshinin jo vetëm forcat e armatosura, por edhe demokracinë e shtetin e së drejtës. Shqipëria vinte në prill të vitit 2008 pas një rotacioni paqësor të pushtetit, me një angazhim serioz për luftën kundër korrupsionit dhe të shëndoshjes së sistemit gjyqësor, respektimit të institucioneve të pavarura, duke shënuar edhe rezultate paraprake në këto drejtime. Po aq e rëndësishme për t’u theksuar është, se në themel të vendimit për ftesën për anëtarësim, ishte sjellja politike e Shqipërisë për sa i përket konsensusit dhe kompromisit politik për fatet dhe të ardhmen e vendit. Qëndrimi i opozitës dhe i liderit të saj, pas shpërthimit të Gërdecit dhe në prag të ftesës për anëtarësim, meritoi vlerësimin e sjelljes si burrë shteti. Pra Shqipëria ishte në atë moment perëndimore në vlera dhe në sjelljen e saj politike. Anëtarësimi në NATO është një sukses i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, po aq sa edhe i qeverisë dhe opozitës shqiptare. Politika e jashtme është meritë dhe përgjegjësi e të gjithëve.

Respektimi i standardeve politike të NATO-s dhe problemet e ndeshura.

Celeste A. Walander, (aktualisht zëvendësndihmëse e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA për  Eurazinë) në funksionin e Drejtoreshës për Programin e Eurazisë në Qendrën e Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare në Uashington D.C., tërheq vëmendjen për një rrezik të një lloji të veçantë me të cilën përballej aleanca, fenomenin e mosmbajtjes së standardeve të arritura nga vendet e reja anëtare, pas anëtarësimit.

Shqetësimi i ngritur para 10 vjetësh lidhur me mosrespektimin e standardeve nga vendet e reja anëtare tingëllon aktual për vendin tonë. Përmes një angazhimi serioz dhjetëvjeçar, 1999-2009, qeveritë shqiptare në vijim kanë ndërmarrë reforma të guximshme e të vështira, për të likuiduar trashëgiminë e rëndë të së kaluarës, duke merituar anëtarësimin në NATO. Por duke filluar qysh nga muajt e parë të post-anëtarësimit vijnë zgjedhjet e kontestuara të qershorit 2009 dhe krizat e njëpasnjëshme politike. Bazuar në raportet e progresit të Komisionit Europian, vështirë të mos dallohen rrëshqitje nga standardet që Shqipëria kishte arritur në prag të anëtarësimit në NATO. Për shkak të rëndësisë së madhe që ajo ka për vendin tonë, në këtë përvjetor të dyfishtë, është koha për reflektim në drejtim të respektimit të standardeve politike që kërkohen. William W. Hagen, profesor i Historisë në Universitetin e Kalifornisë, Davis, gjatë luftës së Kosovës ka vënë në dukje se, “Shqiptarët nuk kanë aleatë Ballkanikë”…..”Mbështetja e vetme për shqiptarët duket se është NATO.”

Gazeta “Shqip”

Top Channel