“Bashkimi i Gjermanisë, një fatkeqësi”

03/04/2012 15:45

Vejusha e liderit të fundit komunist të Gjermanisë Lindore mbroi rendin ashpër policor gjatë regjimit komunist ndërsa shprehu trishtim të thellë për bashkimin e vendit, në një intervistë të rrallë televizive.

84-vjeçarja Margot Honeker, e cila jeton në azil në Kili që prej rënies së Murit të Berlinit, mbajti gjatë regjimit rolin e Ministres së Arsimit, e cila përkujdesej edhe për formimin ideologjik të brezave të rinj.

”Për mua, Gjermania Lindore ishte e gjithë jeta ime”, tha ajo në një dokumentar të transmetuar të martën nga televizioni gjerman “ARD”. “Është një tregjedi për të gjithë që ai vend nuk ekziston më. Bashkimi nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”.

Pasi konsideroi ish-liderin sovjetik, Mikhail Gorbachev si tradhëtar për reformat e tij që sollën demokratizimin e bllokut komunist, Zonja Honeker shprehu edhe irritimin e saj për faktin që pensioni i saj mujor në Gjermaninë e sotme është prej “vetëm” 1 500 eurosh, çka nuk reflekton rolin e saj si ish-Ministre.

84-vjeçarja ishte përgjegjëse për arsimin dhe edukimin markisto-leninist në universite, gjimnaze dhe shkollat e Gjermanisë Lindore nga viti 1963-89.

E pyetur për regjimin e ashpër policor dhe për shërbimin e frikshëm të shtetit, STASI-it, Honeker u justifikua: “Ne kishim shumë armiq dhe disidentë të brendshëm, prandaj edhe siguria kombëtare duhet të ishte një përparësi dhe të ruhej me mjete të ashpra”.

Ndërsa për të gjithë ata gjermanë që humbën jetën duke u përpjekur që të kalonin Murin e Berlinit për në perëndim, ish-Zonja e Parë e Gjermanisë Lindore nuk shprehu asnjë keqardhje. “Rrezikuan jetën dhe e pësuan. Faji ishte i tyre”, deklaroi Honeker.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA