Këmbana “Withers” bie për Uashingtonin

27/03/2012 00:00

Xhovani Shyti – Artikulimet vlerësuese të situatës shqiptare të bëra prej ish-
ambasadorit amerikan në Shqipëri duhen vlerësuar si kumbime të kambanës
“Withers”, që bien për të zgjuar nga gjumi joshës korpusin e zyrtarëve
të Washington D.C.

 Për t’i bërë thirrje të mos vazhdojnë të aplikojnë të njëjtin standard përkrahjeje për udhëheqësit demokracivrasës të vendit të varfër ballkanik… Me demek të mos rrinë e vështrojnë sesi një grusht keqqeverisësish, nën tingujt e trumbetave antikomuniste dhe në emër të antikomunizmit, vrasin demokratizimin e një shoqërie të etur për liri dhe prosperitet!

Pak ditë më parë, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, në intervistën e dhënë në revistën “Java”, artikuloi fare hapur disa të vërteta të “hidhura”. Ca realitete rreth Shqipërisë dhe udhëheqësisë shqiptare. Këto të vërteta, Xhon Withers i artikuloi 18 muaj pas largimit të tij nga Tirana dhe mosqenies zyrtar. Kjo presupozon faktin se vlerësimet e shprehura prej tij, tashmë, janë origjinale, të zhveshura nga gjuha diplomatike e dorashkave. Që don të thotë, akoma më tej, se ish- ambasadori amerikan, sakaq, nuk ka folur si përfaqësues i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por si një ish-diplomat veteran i zhveshur nga çdo lloj politike. Shkurt ish-ambasadori i shumëpërvojë amerikan Xhon Withers, në prononcimin e tij për revistën shqiptare “Java”, ka folur si një qytetar amerikan, i cili duke qenë në postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, ka mundur të njohë edhe skutat e errëta të politikës së Tiranës. Por edhe anët e errëta të politikanëve. Edhe shpirtin e kombit të vogël që, megjithëse kanë kaluar mbi njëzet vjet nga periudha paskomuniste, ende vazhdon të ndodhet në kufijtë foshnjorë të demokracisë. Përse?

“Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit”, ka konstatuar, duke u shprehur në ligjëratë të drejtë qytetari, ish-ambasador i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Withers. Sipas tij: Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa qëndrimet arkaike të njerëzve me pushtet. Duke qenë një demokraci e re, gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar, që prej rënies së komunizmit, nevoja më e madhe që ka pasur Shqipëria ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe për një demokraci: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet, ashtu dhe për ata pa pushtet, një kulturë politike që është e aftë të arrijë konsensusin për çështjet e mëdha që lidhen me interesin kombëtar, një përqendrim i pareshtur për t’iu përgjigjur nevojave të popullit.

Janë citime të marra në ligjëratë të drejtë nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri. I ndodhur, sakaq, në pozitën e qytetarit, Xhon Withers, duke i hequr dorashkat e diplomatit, pra duke folur troç, ka konluduar: “Asgjë prej këtyre nuk është arritur”. Dhe më tej: “Shikoni qeverinë aktuale. Vepra që ka lënë pas shkon tërësisht kundër ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe më 21 janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë. Sikur ta kishte përdorur mandatin e saj qeverisës për të avancuar parimet demokratike, ky komb do të kishte ecur shumë përpara. Por siç vërejmë, një mundësi e madhe është humbur”.

Është një situatë vlerësuese jo e panjohur për qytetarët shqiptarë, sikurse nuk është e panjohur edhe për zyrtarët e Departamentit të shtetit amerikan. Fakt ky i vërtetuar muaj më parë, nga përmbajtja e mesazheve “top-secret” të raporteve që ish-ambasadori Withers në Shqipëri ia ka adresuar instancave zyrtare të shtetit të tij e të bëra publike prej rrjetit “Wikileaks”. Çka lë të nënkuptuar faktin tjetër, sipas të cilit del se një situatë e tillë skandaloze, trishtuese, plotësisht antidemokratike, e drejtimit të shtetit shqiptar ka qenë e njohur nga strukturat përgjegjëse të superfuqisë botërore. Sikurse kanë qenë e janë të njohur edhe regjisorët e aktorët e kësaj drame, pra përfaqësuesit e qeverisë aktuale. Nën udhëheqësinë e së cilës kanë ndodhur që nga skandali i grabitjes së votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2009 dhe majit 2011, e deri te tragjeditë e Gërdecit dhe të 21 janarit 2011. Tragjedi që mbollën rreth tridhjetë të vdekur dhe një seri skandalesh juridike. Këto e të tjera vepra që cenojnë rendë principet amerikane të ndërtimit të demokracisë, sipas qytetarit amerikan, ish-ambasadorit Xhon Withers, kanë po të njëjtin regjisor dhe po të njëjtët aktorë të mbetur në pandëshkueshmëri, nga që mekanizmi ndëshkues është “ndryshkur” nga bllokimi prej pushtetit qeverisës. Madje, akoma më keq, kjo aradhë udhëheqësie vazhdon të mbetet e pakundërshtuar në të keqen gjithëkombëtare që mbjell, por edhe e mirëvlerësuar nga ca përfaqësues të lartë europianë e zyrtarë të Uashingtonit. Të lidhur apo të zgjidhur nga interesa përfitimi individual, kjo ka pak rëndësi, kur në fjalë është fati i një demokracie që në vend të konsolidohet shkon drejt degjenerimit. Ngaqë ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, citon ish-ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, sot qytetari i lirë amerikan Xhon Withers. Ai absolutisht e ka të qartë se këto realitete të hidhura, shqiptarët e thjeshtë votues i njohin po aq mirë sa ai. Gjë që don të thotë se të thënat e mësipërme të deklaruara, pak ditë më parë, nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, nuk janë të panjohura për shqiptarët. Nuk janë ndonjë lajm i ri për ta. E, megjithatë, qytetari i lirë dhe diplomati i pensionuar amerikan Xhon Withers nuk është ndalur t’i riartikulojë me zë të lartë këto plagë të mbetura hapur në qelbderdhjen e tyre. Përse? Për kë bie, në të vërtetë, kambana Withers? Për shqiptarët as që bëhet fjalë, pasi të mbetur në çarkun dinak që i ka ngritur politika e mentalitetit të vjetruar, ata ndjehen të çarmatosur për t’i ndihur përmbysjes së situatës. Por kambana Withers nuk bie as për europianët e Krokodilit, disa prej të cilëve janë po aq përgjegjës për situatën antidemokratike shqiptare, sa edhe udhëheqësit vendas. Edhe këto prapaskena të denja të politikave euroballkanike, ish-ambasadori amerikan i njeh, ndaj dhe artikulimet vlerësuese të situatës shqiptare të lëshuara prej tij duhen vlerësuar si kumbime të kambanës “Withers” që bien për Uashingtonin. Për të zgjuar nga gjumi joshës korpusin e zyrtarëve të Washington D.C. Për t’i bërë thirrje të mos vazhdojnë të aplikojnë të njëjtin standard përkrahjeje ndaj udhëheqësve demokracivrasës të vendit të varfër ballkanik, sikurse për vendet që drejtohen prej havelëve, mandelave etj. Me demek, të mos rrinë e vështrojnë sesi një grusht keqqeverisësish, nën tingujt e trumbetave antikomuniste dhe në emër të antikomunizmit, vrasin demokratizimin e një shoqërie të etur për liri dhe prosperitet!

Gazeta “Shqip”

Top Channel