“Gërdeci”, familjarët peticion në Gjykatën e Apelit

26/03/2012 00:00

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit kanë
dorëzuar sot një peticion në Gjykatën e Apelit, ku i kërkojnë kësaj të
fundit zbardhjen e plotë e vendimit të 12 marsit 2012, mbi të pandehurit
e tragjedisë së Gërdecit si dhe të rishikojë vendimin e dhënë nga
Gjykata  e Tiranës, që është sipas tyre i padrejtë.

Një nga kërkesat e peticionit të dorëzuar ditën e sotme ka qenë edhe fakti që Kontrolli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.

Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, më 15 mars 2008, humbën jetën 26 vetë dhe u plagosen 300 të tjerë. Ndërkohë, pas zvarritjeve maratonë të gjyqit ndaj 29 të pandehur në lidhje me këtë ngjarje tragjike, 3 ditë përpara se të mbusheshin 4 vjet nga tragjedia që u mori jetën njerëzve krejt të pafajshëm dhe kur ende nuk kishte asnjë person pas hekurave në lidhje më këtë çështje, duke qenë se ishin liruar për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit, Gjykata e Tiranës vendosi 98 vite burg në total për të pandehurit, duke i dënuar vetëm për pakujdesi dhe shkatërrim prone, por jo për vrasje.

Top Channel