Ankthi i qeverisë për të përgënjeshtruar të vërtetat e Uidhers

26/03/2012 00:00

Andrea Stefani – The truth hurts (e vërteta dhëmb) thonë amerikanët. Por qeverisë
shqiptare të Kryeministrit Berisha i kanë dhembur aq shumë disa të
vërteta të formuluara nga Xhon Uidhërs, ish-ambasadori amerikan në
Tiranë, sa është hedhur në sulm për të përgënjeshtruar këto të vërteta.

Dhe duket se pjesë e kësaj strategjie të gënjeshtrës është edhe publikimi nga disa media pranë qeverisë i një deklarate që pretendohet se është e Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH) por që deri në këtë moment, nuk ka qenë e mundur të konfirmohet si e tillë.

Një e tillë deklaratë nuk gjendej në sajtin e Departamentit të Shtetit. Deklarata citon “një zëdhënës të DASH” pa emër dhe mbiemër kur dihet se ka vetëm një të tillë që mbulon Ballkanin dhe Europën Juglindore. Ky zëdhënës fantazmë citohet të ketë thënë, ndër të tjera, se: “Xhon Uidhërs nuk flet për Departamentin e Shtetit ose qeverinë e SHBA-së… deklaratat e tij pasqyrojnë opinionet e tij personale. Pikëpamjet e tij, apo ato të ish-zyrtarëve të tjerë, nuk pasqyrojnë politikën amerikane”. Një përgënjeshtrim i një diçkaje që Uidhërs s’e ka pretenduar. Dhe është tjetër të thuash se pikëpamjet e Uidhërs nuk pasqyrojnë zyrtarisht ato të qeverisë amerikane dhe tjetër të thuash se shqetësimet e ngritura prej tij nuk përputhen me ato të qeverisë amerikane.

* * *

Do habiteshim vërtet sikur DASH të kishte nxjerrë një deklaratë të tillë. Për faktin e thjeshtë se ish-ambasadori Uidhërs e ka bërë të qartë, qysh kur pas largimit i është riadresuar Shqipërisë, se tashmë ai shpreh pikëpamjet e tij. Këtë DASH e di dhe nuk mund të kuptohet se përse do t’i lindte nevoja ta sqaronte. Ndërkaq, nuk besojmë se DASH do të dëshironte të saktësonte se pikëpamjet e Uidhërs “nuk pasqyrojnë politikën amerikane”. Për faktin e thjeshtë se kritikat e Uidhërs bazohen te të vërteta faktike dhe nuk mendojmë se edhe politika zyrtare e DASH aspiron për një distancim nga e vërteta. Të thuash që Uidhërs nuk përfaqëson më diplomacinë, madje edhe qëndrimin zyrtar të SHBA është tjetër gjë dhe të thuash se problemet që ai ngre “nuk pasqyrojnë politikën amerikane” është tjetër gjë. Nuk mund ta besojmë që shqetësimet lidhur me stanjacionin apo kthimin prapa të demokracisë, pavarësisht se nga kush formulohen, nuk reflektojnë politikën amerikane në Shqipëri. Gjithsesi, ne shpresojmë që të dalë dikush, me emër dhe mbiemër, dhe në emër të DASH t’i konfirmojë publikut shqiptar autenticitetin e asaj deklarate. Ndërkaq, edhe pa një saktësim të tillë, ne e dimë se ish-ambasadori Uidhërs në një letër të hapur për shqiptarët dhe në disa intervista të dhëna pas largimit të tij, pasqyron sigurisht, frymën e politikës, parimeve të lirisë dhe demokracisë së SHBA. Për këtë nuk ka asnjë ekuivok.

* * *

Nuk ka asnjë diskutim, se pavarësisht nëse është autentike apo jo, deklarata e publikuar nga disa media në emër të “një zëdhënësi të DASH” shpreh në fakt, shqetësimin e qeverisë “Berisha” dhe të vetë Kryeministrit për kritikat e bëra publike nga një diplomat me përvojë si Uidhërs që vështirë se “ja këput kot” kur është fjala për Shqipërinë që e njeh aq mirë. Berisha është në ankth se mosdeklarime si këto të Uidhërs, krijojnë në publikun shqiptar përshtypjen se SHBA po i kthejnë atij shpinën. Nuk do shumë mend të kuptohet se Berisha po lobon që në qarqet diplomatike dhe politike të SHBA që kritikat e Uidhërs të zhvlerësohen me deklarime burokratike që hedhin poshtë diçka që Uidhërs nuk e ka pretenduar kurrë. Por për jo pak shqiptarë, për opozitën politike, është e qartë se autokrati Berisha i ka kthyer me kohë shpinën idealit amerikan të lirisë dhe demokracisë. Është për këtë shkak që nga përtej Atlantikut Uidhërs kritikon dhe thotë se “reformat që i nevojiten aq shumë vendit kanë ngelur në vend”, se në Shqipëri “po tkurren liritë”, se “po abuzohet me idealet demokratike nga zyrtarë të etur për pushtet dhe që përpiqen me dëshpërim për të mbajtur pushtetin”. Ne i dimë se këto kritika të Uidhërs janë të vërteta ulëritëse në Shqipëri e megjithatë, kemi durim të presim konfirmimin nëse DASH dhe politika amerikane distancohet prej tyre. Ish-ambasadori Uidhërs ka shprehur shqetësimin se në Shqipëri nuk është arritur ndërtimi i institucioneve kyçe që mundësojnë dhe jetëgjatësojnë lirinë, se në Shqipëri nuk ka akoma “një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral të lirë e të ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet”. Këto janë shqetësime të ngritura edhe nga të tjerë, madje shkaku kryesor se përse Shqipëria e humbi përsëri “trenin” e kandidaturës për në BE. Për të gjitha këto alarme të ngritura edhe nga Uidhërs ka një mori faktesh mbështetëse. Që nga tragjedia e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit dhe gjyqet e dështuara për këto tragjedi e deri te grabitja e zgjedhjeve në vitet 2009-2011. E megjithatë, ne jemi të gatshëm të presim një konfirmim nëse vërtet DASH distancohet nga këto të vërteta që edhe pse formulohen nga një ambasadori i saj në pension, mbeten një kancer për Shqipërinë, sepse nuk kanë dalë në pension bashkë me Uidhërs.

Gazeta “Shqip”

Top Channel