SHBA, vrasja e 17-vjeçarit me ngjyrë

23/03/2012 19:25

Vrasja e një adoleshenti me ngjyrë në Florida nga një roje vullnetare ka shkaktuar protesta dhe indinjatë në mbarë Shtetet e Bashkuara.

17-vjeçari Trayvon Martin ka qenë i çarmatosur kur është qëlluar nga një latin, gjë që ka ngritur dyshimet se pas vrasjes është një skenar diskriminimi.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti amerikan Barack Obama, i cili ka premtuar një hetim të plotë të saj. “Po të kisha një djalë, ai do të ishte si Trayvon. Do t’i shkojmë deri në fund hetimeve”, ka thënë Obama.

Duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi, presidenti është shprehur: “Mundem vetëm ta imagjinoj atë që po kalojnë prindërit e tij. Kur mendoj për këtë djalë, mendoj për vajzat e mia”.

“Është jetike që të hetohet çdo aspekt i ngjarjes dhe që të gjitha autoritetet federale, shtetërore dhe lokale të bashkojnë forcat për të kuptuar me saktësi se si ajo ka ndodhur”, ka vijuar presidenti.

Ai ka vënë në dukje vlerësimin e tij për faktin se jo vetëm Departamenti i Drejtësisë po e heton ngjarjen, por edhe guvernatori i Floridës, që ka ngritur një task forcë.

“Gjithësesi, mesazhi im shkon për prindërit e Trayvon Martin. Ata kanë të drejtë të besojnë se të gjithë ne, si amerikanë, po e trajtojmë çështjen me seriozitetin që meriton dhe do t’i shkojmë deri në fund për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, ka shtuar Obama.

Vrasja e adoleshentit, në periferi të Orlandos, përveç indinjatës për faktin se ai ishte me ngjyrë, ka ngjallur edhe polemika për shkak të ligjit që në disa shtete u lejon qytetarëve të bëjnë vetëdrejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA