Komisioni i Shërbimit Civil rrezikon të vërë në situatë kritike raportet e qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Europian, për shkak të ndryshimeve ligjore, si “për gjykatën administrative”, ashtu dhe “për nëpunësit civilë”.
Gazeta “Shqip” shkruan se, të dyja këto drafte bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, pasi, përkatësisht, i pari (neni 51) e shkrin institucionin, kurse projekti i dytë, (nenet 9 dhe 11) e forcojnë atë.
Të dyja këto drafte i ka hartuar qeveria, gjë që e bën akoma e më konfuz ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, i cili, me anë të dy letrave dërguar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon sqarime.
Ajo çfarë po ndodh me KSHC është zbatimi i një plani të fshehtë mes demokratëve dhe socialistëve për ta shkrirë me gjykatën administrative, si institucion që pritet të funksionojë vitin tjetër dhe pa eksperiencën e duhur të trajtojë çështjet që Komisioni i Shërbimit Civil i shqyrton për më shumë se 10 vitesh.
Gazeta “Shqip” ka mundur të zbulojë letrat e ambasadorit Sequi, i cili ngre disa pikëpyetje mbi fatin e institucionit. Ja çfarë thotë letra dërguar më 9 shkurt 2012.
“…Unë nuk mund të fsheh shqetësimin tonë në lidhje me një dispozitë të veçantë në projektligj (neni 51), i cili parashikon shkrirjen e Komisionit të Shërbimit Civil. Edhe pse disa kompetenca, të cilat ushtrohen aktualisht nga KSHC, do të transferohen në gjykatat administrative, Komisioni i Shërbimit Civil luan një rol kryesor si një institucion i pavarur mbikëqyrës për institucionet e administratës publike në Shqipëri. Shpërbërja e tij jo vetëm që do të mbingarkojë gjykatat administrative të sapokrijuara, por edhe privon Parlamentin nga një mjet krejtësisht i rëndësishëm siç është monitorimi i ekzekutivit”.
Më tej ambasadori, duke iu referuar projektligjit tjetër “Për nëpunësit civilë”, shkruan: “Jam i informuar se projektligji në të njëjtën kohë përcakton qartë funksionet e KSHC (neni 9 dhe 11) dhe se draft-plani i veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të BE-së parasheh forcimin e Komisionit të Shërbimit Civil”.
Përmbajtja e letrës nuk është bërë publike, as nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, aty ku PD-ja dhe PS-ja kanë rënë dakord të miratojnë gjykatën administrative dhe në heshtje të zvarrisin projektligjin tjetër, atë që forcon KSHC-në.
Tjetër problem i qeverisë shqiptare janë 12 kushtet e vendosura nga BE për t’u anëtarësuar. Kushti, ose prioriteti i gjashtë që duhet të plotësojë pala shqiptare lidhet me “reformën në administratën publike”.
Rreth dy javë më parë, pala jonë ballafaqoi rezultatet e 12 kritereve te zyrtarët e BE-së në Bruksel. Po cili është komenti i Bashkimit Europian mbi punën e kryer nga qeveria jonë në pjesën e ‘administratës’?
Gazeta “Shqip” disponon një kopje të qëndrimeve, ku ndër të tjera thuhet: “E ardhmja e KSHC duhet të sqarohet, përderisa ka një kontradiktë të qartë midis plan-veprimit dhe draftit të Ligjit të Shërbimit Civil nga njëra anë, ku është parashikuar fuqizimi i KSHC dhe draftit të gjykatave administrative nga ana tjetër, ku është planifikuar shkrirja e KSHC.
Kjo e fundit, ne besojmë se është në një drejtim të gabuar”. Komenti i këtij paragrafi mbyllet me letrën e ambasadorit Sequi, të datës 9 shkurt, ku BE i kujton qeverisë qëndrimet që ka ndaj çështjes në fjalë. KSHC është krijuar në vitin 2000, falë përpjekjeve të Bashkimit Europian, OSBE dhe Bankës Botërore.
Vendimet e KSHC, në masën gati 80%, janë marrë pro nëpunësve për t’u rikthyer në punë dhe për këtë shkak asnjë qeveri nuk e ka dashur, por gjithnjë presioni i BE-së e ka mbajtur deri tani në këmbë.
Top Channel