“Betejat” e administratorëve të pallateve

21/03/2012 00:00

Ismail Beqirin e sheh gjithmonë me shkallë në dorë. Ai është administrator i një pallati në “Komunën e Parisit”, kujdestar i asaj që ai e quan një familje e madhe dhe ndihet më së miri me detyrën që ka.

“Jetoj me fqinjët, me pallatin tim dhe mendoj se komunikimi me ta është diçka shumë e mirë. Njëkohësisht, është një punë e vështirë, pasi përballesh me mentalitet, ndërgjegjësim dhe dëshira të ndryshme të njerëzve. Ka nga ata që janë më të gatshëm për të kontribuar në komunitet dhe të tjerë që janë më pak. Por, me kalimin e kohës njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe janë bërë më të vetëdijshëm për mënyrën se si duhet të jetojnë në komunitet”, thotë Zoti Beqiri, në emisionin e “Pasdites”.

Fillimet nuk kanë qenë të lehta dhe disa banorë përpara tij janë përpjekur të administatojnë pallatin,  por pa ia dalë mbanë. Me moton durimi është i hidhur, pro frytet i ka të ëmbla, Ismaili ka arritur të fitojë besimin e banorëve të ndërtesës.

“Në fillim ishte e vështirë, pasi njerëzit nuk ishin mësuar me këtë stil jetese në komunitet, por tashmë nuk ka asnjë banor që nuk paguan kuotën që detyrohet”, rrëfen administatori. Megjithatë, ka ende nga ata banorë që lënë plehrat në shkallë apo fëmijë që zhgarravisin muret.

Megjithatë, po në kryeqytet, ka pallate të tjerë që do të ishin shumë të lumtur të kishin probleme të tilla. Administratore e një prej ndërtesave më problematike është një grua e quajtur Vera Vata, e cila është bërë administratore, pasi askush tjetër nuk e dëshironte atë detyrë.

“Shkoj për të mbledhur paratë dhe me vështirësi ta japin tek dera. Ne me të vërtetë që e kalojmë keq”, thotë Znj. Vata, ndërsa pamjet tregojnë një pallat pothuajse të rënuar, me suvanë e rënë, pllakat e shkulura, ashensorët që herë punojnë dhe herë jo apo ndriçimin difektoz.

“Vumë llampën dhe na e vodhën. Kush na e vodhi? Patjetër banorë të pallatit, sepse nuk erdhi bota këtu për të marrë llampat tona. E ndriçuam nga brenda pallatin, lyem fasadat e tij, por ja ku kemi tani vetëm zhgarravina, nga fëmijët. Fëmijë të lagjes dhe pallatit janë”.

Citofona të shqyer, plehra të lëna nëpër shkallë. Llampa që vidhen…. Në këtë godinë, rpej dhjetë vitesh luhet loja e fqinjëve që duhen dhe përshëndetn përzemërsisht nëpër shkallë, por që nuk kujdesen aspak për mirëqënien e përbashkët kur duhet të kontribuojnë për këtë.

“Përse e bej këtë punë? Në radhë të parë sepse jam pa punë. Pastaj mendoj, përse pallati të mos jetë sa më komod, sa më i bukur në shumë drejtime.  Ka shumë ndërtesa të tjera që janë në rregull. Përse të mos jemi edhe ne në të njëjtën situatë?”, pyet Vata.

Edhe pse ka dy muaj që është zgjedhur kujdestare e pallatit, Vera po kupton gjithmonë e më shumë se për të kryer punën që i është caktuar, duhet të jesh një supergrua.  “Kam shumë shumë lodhje. Do të bëj një mbledhje së shpejti, sepse më mirë bëj një dorëheqje, se sa të merrem kështu me njerëzit”, shprehet ajo.

Këto janë betejat e përditshme të vogla të një administrator. Betejat për atë qytetërim, që mbase duhet të ishte arritur tashmë.

Top Channel