Albpetrol, gjithçka i “falet” privatit

21/03/2012 00:00

Debatet për privatizimin e Albpetrolit në Parlament hynë në një drejtim tjetër edhe më të ndezur, kur maxhoranca propozoi në mënyrë të papritur një amendim të ligjit në minutën e fundit.

Ndryshimi i propozuar nga deputeti Edmond Spaho rrit numrin e vendburimeve të naftës që do t’i shiten privatit, por pa përcaktuar zonat konkrete.

“Dy lista janë, A-ja dhe B-ja, ku është faji i madh që po bëhet këtu, kur ata zotërinjtë ia kanë vjedhur më parë pjesën A dhe B Albpetrolit”, deklaroi deputeti Edmon Spaho duke iu referuar deputetëve të opozitës.

Ligji ishte votuar më parë vetëm në komisionet parlamentare me dy lista, A dhe B, në të cilat ishin përcaktuar vendburimet dhe zonat naftëmbajtëse që do shiteshin tek privati.

Me propozimin e papritur maxhoranca shtoi edhe një tjetër listë, të ashtuquajturën lista C, e cila mbetet e paqartë se çfarë vendburimesh shtesë do të përfshijë, pasi nuk është hartuar akoma dhe do të përcaktohet pas miratimit të ligjit me vendim qeverie.

“Marrëveshja mes ministrisë dhe Albpetrolit nuk ka listë C, ka vetëm A dhe B, ku janë vendosur burimet. Ndërsa tek B-ja janë sërish burimet në tokë. Çfarë është lista C, cfarë fshihet atje”, kërkoi sqarime deputeti socialist Erjon Braçe. “Lista C përfshin zonat e punës, prandaj hiqni kuriozitetin”, iu përgjigj atij ministri Naço.

Por opozita, e cila këkroi mbledhjen urgjente të komisionit të ekonomisë në mes të seancës parlamentare, thotë se ky ndryshim ligjor është në kufijtë e një skandali.

“Albpetrol ka mundësi përmes këtij amendamenti të marrë zona kërkimi pa kufij. Lista C nuk ekziston. Zoti ministër, silli shqiptarëve listën C, sillja dhe opozitës që ta shohim e ta vërtetojmë”, deklaroi deputeti socialist Arben Ahmetaj. “Lista C është lista e ministrit që të bëjë privatizime sipas qejfit”, tha pas tij deputeti Sajmir Tahiri.

Por edhe formula e shitjes së Albpetrol është e papreçedentë edhe pa ndryshimet e minutës së fundit nga maxhornca për listën e vendburimeve. Për herë të parë, qeveria po transferon tek privatët, jo vetëm asete fizike, por edhe të drejta të veçanta që deri tani kanë qenë ekskluzivitet vetëm i shtetit.

“Ne nuk do pranojmë asnjëherë që e drejta e marrëveshjeve të hidrokarbureve, të menaxhohet apo keqpërdoret nga një kompani private, sado prestigjoze të jetë”, deklaroi socialistja Mimi Kodheli.

“Është e vetmja opozitë në botë që thotë të mos privatizohen ndërmarrjet por t’i mbajë qeveria vetë. Ju duhet të ishit të parët që të kërkonit privatizimin, jo vetëm të Albpetrolit, por dhe pasurive të tjera”, replikoi kryeministri Berisha.

Në fund ligji u miratua pas debateve të nxehta me 72 vota pro të maxhorancës. Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i pasur me naftë, që disponon madje edhe vendburimin më të madh në Europën kontinentale, atë të Patos Marinzës, i cili mendohet se ka edhe 30 milionë tonë rezerva nafte të nxjershme.

Privatizimi i Albpetrol do të mbyllë përfundimisht historinë e pronësisë publike në naftë, e cila tashmë i kalon e gjitha privatëve, dhe jo vetëm si aset fizik, por edhe me gjithë të drejtat e posaçme, përfitimet e veçanta që merr shteti nga kompanitë e huaja që kanë marrëveshje konçesioni për të shfrytëzuar puset e naftës, që në gjuhën teknike quhen ndarja e prodhimit dhe nafta fitim. Me shitjen e Albpetrol, qeverisë i mbetet tashmë vetëm renta minerare dhe tatimi mbi fitimin nga kompanitë e naftës.

Top Channel