Shikimi i humbur nuk do t’i kthehet më. Ky është fati me të cilin duhet të bashkëjetojë Muharrem Llabani, 69-vjeçari që ka fare pak kohë që është diagnostikuar me sëmundjen e tensionit të syrit, çka i ka dëmtuar shikimin.

“Kisha një skuqje dhe lotim. Jam kuruar në disa klinika okulistësh, që dyshonin për infeksion. Mora mjekim disa herë, por procesi vazhdonte. Aty u kap që unë kisha glaukomë ose ndryshe tension të syrit”, thotë Llabani, për emisionin e “Pasdites”.

Muharremi është një prej atyre pak rasteve kur problem është zbuluar në në kohë për të mbajtur nën kontroll përparimin e sëmundjes. Do të kërkojë shumë sakrifica, por ai mund të shpëtojë atë përqindje të shikimit që i ka mbetur.

“Mu dha mjekimi dhe mjeku më bëri të qartë që duhet ta vazhdoj atë për të gjithë jetën. Ndryshe, mund të verbohem”, shton 69-vjeçari.

Tensioni i syrit mund të shkaktojë verbëri të plotë nëse nuk kapet në kohë. Në Shqipëri nuk ka shifra për këtë sëmundje, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se 1,6 milionë persona kanë humbje të pjesshme apo të plotë të shikimit si pasojë e glaukomës.

Ajo që frikëson më shumë është fakti që sëmundja mund të përparojë në heshtje. “Është një sëmundje që të vjen dhe nuk e vë re deri kur konstaton se diçka nuk po shkon si duhet me shikimin tënd”, dëshmon i prekuri nga ky problem.

Osman Llabani ka mbi një vit e gjysmë që është diagnostikuar me këtë sëmundje. Megjithatë, ai është i vonuar pasi tensioni nuk i dha fillimisht asnjë simptomë. “E kam relativisht të dëmtuar fushën e pamjes në të dy sytë. Syrin e majtë, e kam rreth 75% të dëmtuar, ndërsa tjetri më funksionon me vetëm 5%. Tashti kjo duhet të ketë ndryshuar dhe pas operacionit jam përmirësuar diçka”, thotë ai.

Osmani shikon tashmë gjysmëerrësirë. Sëmundja i ka marrë pothuajse tërësisht shikimin në njërin sy, ndërsa tjetri është edhe ai i kërcënuar. “Çdo pamje nuk është më si dikur, nuk është më tërësisht e saktë. Për më tepër, fusha e shikimit më lejon të shikoj vetëm në qendër, atje ku kam përqendruar sytë. Anash objektivit, sa vjen e errësohet më shumë, sepse është e dëmtuar”, shton Osmani.

Ndryshimi i fushëpamjes ka ndryshuar dukshëm cilësinë e jetës së 66-vjeçarit, i cili ndien dëshpërim për dritën e ikur të syve. “Është e vështirë, është shumë e rëndë dhe më vjen keq që po e humbas shikimin. Kam edhe vështirësi të tjera. Jo të gjitha funksionet mund t’I bëj si më parë”.

Megjithatë, mjekimi dhe mbase një ndërhyrje, mbase mund të shpëtojnë nga errësira atë pjesë të vogël të mbetur të syve. Osmani, shpreson të jetë ende në kohë për këtë.

Top Channel