Tatimet: Kujdes bilancet me humbje

19/03/2012 08:00

Data 31 mars është dita e fundit e dorëzimit të bilancit ekonomik dhe financiar për biznesin, që përkon me fundin e amnistisë fiskale. Frikës se mos administrata tatimore dhe ajo doganore nis verifikimet pas procesit të faljes, i shtohet tashmë udhëzimi i fundit, lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, “për verifikimin e pasqyrave financiare të vitit 2011”, ku u jepen porosi drejtorëve nëpër rrethe për mënyrën e kontrollit të bilanceve.

Ky vit konsiderohet ndryshe nga të tjerët, pasi buxheti i shtetit do të marrë në analizë efektet e amnistisë fiskale, kurse nga bilancet e paraqitura për aktivitetin 2011, do të shikohet gjendja reale e bizneseve, nga ku Ministria e Financave do të procedojë me politikat e saj fiskale.

Udhëzimi i lëshuar pak ditë më parë, sqaron me detaje çdo veprim të tatimorit në bastion, kur verifikon bilancin e biznesit, madje me “porosi” të veçantë, të mbikëqyrë me kujdes aktivitetet me humbje.

“Të dhënat nga shqyrtimi paraprak i pasqyrave financiare, sidomos për tatimpagues me humbje, normë të ulet rentabiliteti, si dhe tatimpagues që gjykohen për verifikime të mëtejshme të deklarimeve në vend, të evidentohen dhe të dërgohen për ndjekje të mëtejshme Drejtorisë së Kontrollit Tatimor”, thuhet në udhëzim, ben te ditur “Shqip”.

Tatimorëve u kërkohet t’i kushtojnë vëmendje verifikimit të pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve, duke trajtuar me përgjegjësi disa elemente, si shpenzimet për paga, sigurimet, qiraja, duke i krahasuar ato me dokumentacionin bashkëlidhur
pasqyrave financiare dhe situatën e deklaruar gjatë vitit 2011 etj. “Të analizohet me kujdes zëri ‘Fitimet e pashpërndara’, të krahasohen të ardhurat nga shitjet neto dhe nga shitje të tjera për veprimtarinë e shfrytëzimit të deklaruara në pasqyrën financiare përkatëse me atë të deklaruara nga tatimpaguesi në situatën financiare për TVSH-në, dhe për rastet e tjera kur ka
diferenca të evidentohen ato duke kërkuar shpjegimet përkatëse”, janë disa nga kërkesat drejtuar drejtorive rajonale.

Për dorëzimin e bilanceve, biznesit u kërkohet dokumentacion shtesë, që ka të bëjë me kontratën e qirasë apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi, pasqyrën e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), gjendjen e inventarit deri më 12 dhjetor 2011 etj. Shumë biznese e ushtrojnë aktivitetin e tyre në objekte të paregjistruara ende në hipotekë, për arsye të ndryshme dhe kushti i vendosur nga tatimet mund t’i penalizojë ato me gjoba të rënda.

Tatimorët do t’i kryejnë verifikimet nga zyra, por jo vetëm, në rast se dyshimet janë të mëdha mund të dalin në terren. Drejtoria e Përpunimit dhe Menaxhimit të të Ardhurave në Drejtoritë Rajonale Tatimore të azhurnojë listën e tatimpaguesve të biznesit të vogël që kanë detyrim ligjor për të plotësuar deklaratën vjetore të tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël, si dhe pasqyrat financiare për vitin 2011.

Për verifikimet e mësipërme do të mbahen procesverbale, si dhe do të plotësohet skeda e verifikimit formal të të dhënave të bilancit të vitit 2011 sipas formatit bashkëlidhur për çdo pasqyrë financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve të shqyrtuar, duke e krahasuar me rentabilitetin më të lartë të konstatuar për grupin ekonomik.

Arsyeja kryesore e dështimit të amnistisë fiskale nga ana e biznesit lidhet me pasigurinë që ofronte ligji i faljes. Shumë shoqata biznesesh kishin kërkuar nga Ministria e Financave garanci pas përfundimit të amnistisë, se mos tatimet apo doganat i penalizonin për “mëkatet” e deklaruara. Kjo garanci nuk u afrua, ndërsa zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, deklaroi dy ditë më parë, se duke nisur nga data 1 prill do të mblidhet me forcë çdo detyrim dhe gjobë e papaguar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA