Të paktën dëgjoni amerikanin Uidhers!

19/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Ndihem aspak i ngazëllyer ndërsa lexoj intervistën më të fundit  të
ish-ambasadorit Uidhers. Edhe pse kritikat deri në nivel denoncimi për
autokratizmin dhe korruptimin e qeverisë së Kryeministrit Berisha janë
shumë të ashpra.

Ndihem i konfirmuar, si edhe ca kolegë të mi gazetarë, në ato që kam thënë e shkruar jo pak herë në këta 15 vjetët e fundit kundër pushtetit berishist që tenton ta mbysë lirinë duke u çjerrë për lirinë. E megjithatë, riformulimi nga Uidhers i këtyre të vërtetave, të vjetra sa vetë tranzicioni, edhe pse nuk entuziazmon, ngjall një optimizëm dyshues se mos ndoshta, një pjesë e shqiptarëve, do mund t’u kushtojnë më shumë vëmendje disa të vërtetave që deri sot i kanë neglizhuar vetëm sepse nuk janë formuluar nga një zë i huaj. Tashmë rrezikun e sundimit autokratik po e rithotë me këmbëngulje një diplomat amerikan që e njeh mirë Shqipërinë dhe që është, pa asnjë ekuivok, mik i afishuar i Shqipërisë. Shpresa shtrihet edhe më gjerë. Se ndoshta alarmet dhe shqetësimet e Uidhers për fatin e Shqipërisë, do t’i dëgjojnë edhe ish-kolegë të tij ndërkombëtarë, që për sa kohë kanë mision forcimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, nuk bën të mbyllin sytë para kërcënimit të autokratizmit që po bëhet përditë dhe më evident.

* * *

Ja disa nga alarmet që ngre sot ish-ambasadori amerikan në Tiranë: Liritë po tkurren nga një qeveri moskokëçarëse. Po abuzohet me idealet demokratike nga zyrtarë të etur për pushtet dhe që përpiqen me dëshpërim vetëm për të mbajtur pushtetin. Se lufta për liri nuk është fituar akoma. Se qeveria shqiptare jo vetëm ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetave të superskandaleve kriminale si ai i Gërdecit, por edhe ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj që e vërteta të mos dalë në shesh. Se për të penguar të vërtetën dhe drejtësinë qeveria “Berisha” ka kryer sulme të egra kundër prokurorëve dhe gjykatësve dhe ka mbrojtur një ministër si Fatmir Mediu që të paktën kanë përgjegjësi morale dhe politike për sa ka ndodhur. Tashmë edhe ish-ambasadori Uidhers u është bashkuar zërave kritikë se në kokë të qeverisë shqiptare nuk ekziston një mendësi e dedikuar për lirinë dhe demokracinë, por përkundrazi një mendësi që priret jo nga qeverisja, por nga sundimi i shqiptarëve. Në fakt, sot Shqipëria ka në krye një kabinet që nuk qeveris, por sundon me arrogancë duke mos iu nënshtruar asnjë ligji dhe asnjë vullneti përveç kapriçiove të veta. Liria është një gënjeshtër dhe demokracia një propagandë. Është për këtë shkak, që ashtu sikundër nënvizon me shqetësim edhe Uidhers, demokracia ka bërë hapa prapa dhe Shqipëria humbi edhe në tjetër shans për t’u bërë kandidat për anëtar i BE. Të gjitha këto alarme janë formuluar me qindra herë në shqip nga media dhe opozita politike e megjithatë, nuk janë dëgjuar sa duhet as nga shqiptarët dhe as nga vetë ndërkombëtarët. Le të shpresojmë se do të dëgjohen më mirë të formuluara në anglisht nga një ish-emisar i Uashingtonit si Uidhers.

* * *

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për elektoratin e majtë. E rëndësishme është që mesazhet e Uidhers të përpiqen t’i kuptojnë votuesit e djathtë, pikërisht ata që janë bërë edhe themeli elektoral i autokratizmit berishist. Gjë fort e vështirë kjo, po të mbajmë parasysh jo vetëm propagandën mashtruese të qeverisë, por edhe rrethanën sociale ku ndodhet kjo shtresë e popullsisë. Një pjesë e madhe e këtyre votuesve janë viktima të një varfërie materiale të prodhuar nga keqqeverisja që ata vetë kanë votuar. Një varfëri që i mban të lidhur pas qeverisë më fort se një prangë, me shpresën e një vendi pune apo lëmoshe të çfarëdo lloji. Një pjesë janë lidhur përjetësisht me Berishën, sepse ai u legalizoi truallin e shtëpisë dhe do të duhen vite të kuptojnë se në themelet e shtëpisë që kanë ngritur, kanë sakrifikuar atë që mundëson lumturinë e njeriut, shansin për liri dhe drejtësi. Ata dhe të tjerë si ata, do ta kenë të vështirë të kuptojnë se qeveria që u dha tokë, është po ajo që për shkak të korruptimit të saj, është e interesuar vetëm për rrënimin e sistemit të institucioneve të pavarura që i bën të gjithë njerëzit të lirë dhe të mbrojtur nga padrejtësitë e qeverisë. Të tjerë shqiptarë, kanë rënë në këto bataqe mendore jo për shkak të varfërisë, por të të kundërtës së saj, pasurive të paligjshme dhe lakmisë që pushteti di t’i ngopë me sukses. Por këta janë shumë më pak dhe demokracia mund të bëjë edhe pa ta. E rëndësishme është të bëhet të kuptojë të vërtetat e hidhura ajo masë shqiptarësh që ndërsa votojnë për “demokracinë” nuk kuptojnë që votojnë autokratizmin, që besojnë se votojnë “demokratin”, por në fakt votojnë autokratin, që besojnë se po votojnë liderin që ju premton Europën, por në fakt po mbajnë në pushtet liderin që po largon Shqipërinë nga Europa. Dhe këto viktima të ndereve dhe të mirave të pushtetit berishist, do të mund të fitojnë lirinë e mendimit vetëm nëse alarmeve të ambasadorit Uidhers i bashkohen edhe të tjerë zëra ndërkombëtarësh. Fatkeqësisht, punët janë kështu. Ndaj të shpresojmë se pasi nuk i kanë dëgjuar në shqip edhe ndërkombëtarët do të mund t’i kuptojnë në anglisht alarmet për rrezikun e autokratizmit dhe korrupsionit të qeverisë “Berisha”. Nuk i kanë besuar kritikat e antiberishistëve shqiptarë të akuzuar nga puthadorë të pushtetit si “komunistë” apo “antiamerikanë”? Atëherë të paktën të besojnë mikun e tyre, Uidhers! Dhe do të jepnin një kontribut në emancipimit publik duke hequr dorë nga “diplomacia” e barazimit të të metave të opozitës me të këqijat themelore të një qeverie vendosmërinë e së cilës kundër drejtësisë së pavarur, shtetit ligjor dhe rotacionit demokratik të pushtetit, e nxit jo vetëm mendësia autokratike, por edhe një korrupsion i përgjakur që orvatet t’i shpëtojë drejtësisë duke varrosur lirinë e demokracinë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel