Grupi i Ministrave të Jashtëm të Eurozonës dha aprovimin e fundit për akordimin e kredisë prej 130 miliardë eurosh për Greqinë, të cilat do të paguhen nga vendet e BE-së dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Njëkohësisht, gjendja e rënduar e ekonomisë spanjolle tërhoqi një pjesë të mirë të kohës së bisedimeve.
Ministrat e 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët euro u takuan në Bruksel, në një takim që përfundoi në orët e para të së martës dhe miratimi ishte i pritshëm, duke qenë se Athina plotësoi të gjitha kushtet e vendosura më parë, përfshi gjetjen e një marrëveshje me kreditorët për faljen e gjysmës së borxheve të marra përpara këstit të ri.
Me atë marrëveshje, borxhi reduktohet ndjeshëm nga 160% i Prodhimit të Brendshëm Bruto që është aktualisht. Jean-Claude Juncker, udhëheqësi i bisedimeve, njëkohësisht Kryeministër i Luksemburgut, deklaroi se tani i mbetet FMN-së që të akordojë shumën, diçka që pritet të aprovohet në datën 15 mars.
Përpara se Athinës t’i jepej kjo hua e dytë madhore, qeveria greke ndërmori një seri shkurtimesh të thella, shoqëruar me garanci të qarta për ruajtjen e angazhimit politik për të vazhduar në rrugën e kursimeve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të muajit prill.
Në takimin e Ministrave të Financave, kriza e ekonomisë spanjolle ishte gjithashtu në qendër të bisedimeve. Eurogrupi pranoi kërkesën e Madridit për të lejuar vendin që të ruajë për 2012-n një defiçit prej 5,3%, më i lartë se sa objektivi i vendosur më parë.
Në shkurt, Spanja kishte deklaruar se do ta kishte të pamundur të ruante një defiçit prej 4,4%, sa ishte përcaktuar më parë. Nga ana e tij, Jean-Claude Juncker, u shpreh optimist mbi mundësinë që reformat e thella të qeverisë së Rajoy, mund të sjellin defiçitin në parametrat e kërkuar nga marrëveshja e Mastrihtit (viti 1992), prej më pak se 3%,
Spanja është vendi europian me numrin më të lartë të papunësisë, që në muajin janar u vlerësua në mbi 23% të krahut të aftë për punë.
Top Channel