Një shekull pavarësi dhe Shakira

12/03/2012 00:00

Artan Mullaj – Emocionuese të kesh një yll nëpër këmbë! Si një “supernovë” në
shpërthim, në krah të Kryeministrit shqiptar këtë herë nuk do të jetë
Çiljeta provokuese.

Në festën e radhës, nuk do të jetë në tribunë as e ardhmja femërore dhe muzikore e Partisë Demokratike, Greta Koçi.

Këtë herë, pranë Berishës, do të jetë fenomeni botëror që quhet Shakira.

Shakira do të këndojë në ditën e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Me këmbë të zbuluara, me flokët ngjyrë ari, me zërin dhe trupin drithërues, ajo do të shpenzojë frymën e saj për të ndezur frymën e festës që pritet të lumturojë shqiptarët. Prania e Shakirës do të thotë se kemi vendosur të paguajmë shtrenjtë kënaqësinë që ajo do t’i shtojë “superpavarësisë”. Luks i shtrenjtë, aq sa vetiu lind pyetja: Kujt do t’i besohet regjia e vështirë? Si do të përshtatet ngazëllimi bjeshkor i pushtetarit me tundjen marramendëse të së pasmes elegante të këngëtares së madhe? Do të mbajë ky një fjalim, shumë i prekur që, pas 100 vjetësh jemi ende të pavarur, apo do të këndojë e para ajo, shalëjashtë, gjoksjashtë, me këmbët e bronzuara në Karaibe, dhe vithet e fryra, me ose pa silikon, e më pas do të shpërthejë ai? Kush do të performojë në fillim, muzika e Shakirës apo politika e Berishës? Turma e të mbledhurve, a do ta shqyejë me britma fytin gjigand, ndërsa eksitimi, marrëzia, dashuria, urrejtja apo kushedi ç’lloj ndjesie tjetër, mbështjellë si tornado, do të krijojnë magji në tribunë? Saliu dhe Shakira, a do ta bekojnë të dy, njëherësh, ditën e madhe? Apo veç e veç? Kushedi! Vështirë të fantazosh portretin e Kryeministrit atë ditë, dorë për dore me yllin botëror, në mitingun e përbindshëm të pavarësisë shekullore. Mbase, si kurrë ndonjëherë, do të qëllojë drejt e në zemër pesimizmin e njerëzve me një fjalim planetar!

(“100 vjet pavarësi, 100 vjet vetmi, por jo 100 vjet krenari! Krenari për çfarë?)

Sytë e kuq nga pagjumësia e natës së shkuar, por të përlotur nga mallëngjimi i turmës, zëri i çjerrë nga provat e javës së fundit, me një notë të jashtë-pentagramtë, një emocion i shenjtë pranë biondinës hyjnore dhe në fund një shpërthim i tij i njohur, ekzaltik, ekzotik, ekrokurocentric … Kështu do të ndodhë. Si do ta menaxhojë regjia shpërthimin e paralajmëruar të Saliut dhe hutimin e Shakirës njëherësh? Këtë nuk mund ta dimë, por dimë që do të jetë një punë e vështirë.

* * *

Nervozizmi me të cilin stafi i Berishës po punon të krijojë frymën e festës së Pavarësisë, e bën këtë përvjetor të çuditshëm. Nervozizmi u duk qysh kur, si rrufe në qiell të pastër, u hodh papritur ideja e prishjes së Piramidës, për t’u ndërtuar mbi rrënojat e saj një ndërtesë e re për Kuvendin e vjetër. Nuk është e qartë se përse mazhoranca u tërhoq nga projekti i parë, ashtu si nuk dihet nëse kjo tërheqje nga shkatërrimi është ose jo e përkohshme. Edhe të pushtetshmit kanë nazet e tyre, që shpesh janë një hap larg marrëzisë. Mazhoranca e Berishës hoqi dorë nga zakoni i mjerë i të bërit dhurata vetvetes. E la mënjanë si një monument të harruar idenë për ndërtesën e re 100 milionëshe të Kuvendit, ndërsa e zëvendësoi atë me një ide tjetër: Krijimin e frymës.

Gjithë mekanizmi shtetëror është vënë në lëvizje. E parë qashtër, krijimi i frymës së festës, tej përmasës logjike, duket sikur po sjell rritjen e inflacionit të saj. Në një vend ku më shumë se kurrë dhe më shumë se kudo është e nevojshme bërja e një marrëveshjeje kolektive për të perceptuar lirinë, për shkak se liria është e paqartë, shpesh edhe e cenuar, jehona e një përvjetori pavarësie, pavarësisht zhurmës së madhe që bëhet, nuk mund të mbërrijë veçse e mekët në veshët e qytetarëve. Dhe sa më shumë pushteti, për të fshehur kualitetin e ulët të lirisë dhe demokracisë në vendin e tij, i ngre kult pavarësisë, në një përvjetor të saj, aq më shumë jehona e saj shkon drejt vetëshuarjes. Njeriut shqiptar të këtij shekulli i kërkohet të shkrihet dhe të festojë pavarësinë, ndërsa ka të cunguar lirinë dhe të drejtat e tij. Ashtu si në legjendat me mbretër e monarki, ku koncepti i pavarësisë dhe lirisë kacafyten njëra me tjetrën, në Shqipëri përkufizimi i tyre është i paqartë. Dhe do të jetë i paqartë për sa kohë, në vend që të qeveriset, ky vend do të vazhdojë të sundohet. A mjafton pavarësia në një vend ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë? Sigurisht që jo. Pyetje naive, përgjigje e thjeshtë. Në botë ka mjaft vende ku ende sundojnë diktaturat dhe që janë të pavarura. E tillë ka qenë edhe Shqipëria në kohën e komunizmit, por ç’rëndësi dhe ç’vlerë kish pavarësia e saj kur njerëzit nuk ishin të lirë nën diktaturën e egër. Sot, të gjithë nuk meditojnë më për shkallëzimin e fatit në një vend ku problemet, për shkak të cenimit të lirisë, janë si vargmalet. Çështja e lirisë së individit është çështje e të drejtave themelore, që shqiptarët sot nuk i kanë. A mund të gëzosh të drejtat e tua e për rrjedhojë të ndihesh i lirë, në një vend ku nuk ka barazi për të gjithë dhe konkurrencë të ndershme. Ku sundojnë monopolet? Ku shteti është një mekanizëm privat në duart e pushtetit. A mund të jesh i lirë në një vend që nuk ka mundur kurrë të zhvillojë zgjedhje të ndershme? A mund të jesh i lirë në një vend ku lulëzon korrupsioni në të gjitha majat dhe pllajat e shtetit? Jo! A mund të ndihesh i lirë në një vend ku qeveria kontrollon dhe mbështet bizneset pranë saj, duke shkatërruar të tjerët? Kontrollon mediat pranë saj për të fshirë të tjerat? Sigurisht që jo. A mund të ndihesh i lirë në kujën e krizës, kur ekonomia e vendit tënd ka marrë rrokullimën dhe Kryeministri shpërfill Gjermaninë, ekonominë e së cilës e sfidon çdokaq me deklarata? A mund të ndihesh mirë dhe i lirë kur je i papunë dhe kur shpresë nuk gjeneron për askënd ky vend i pavarur?

Asnjëherë!

Një vend që nuk ka liri, drejtësi, ekonomi, krenari edhe shpresë, përgatitet megjithatë këtë vit të festojë me madhështi kontinentale pavarësinë, për 100-vjetor. Po krijohet fasada që do të fshehë mjerimin kombëtar në ditën shekullore të pavarësisë kombëtare. Pushteti po synon të mbulojë me flamurin kuqezi të zezat që i ka sjellë këtij vendi, me ngjarje të zeza, në data të zeza. Duke e përdorur në këtë mënyrë pavarësinë, po e nxin edhe atë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel