Anëtarët e së ashtuquajturës Organizata Kristiane në Maqedoni, duke kënduar tone raciste, kanë djegur flamurin kombëtar shqiptar.

Veprimi i ulët është xhiruar nga anëtarët e organizatës, të cilët nuk kanë vonuar ta transmetojnë atë në faqen e njohur të internetit Youtube.

Teksa djegin flamurin, anëtarët e organizatës bëjnë thirrje për bashkimin e krishterëve kundër shqiptarëve, me qëllim shfarrosjen e tyre.

Në video parullat anti-shqiptare janë shoqëruar me titra në gjuhën angleze për të përcjellë mesazhin e ekstremistëve.

Aleanca Kuqe e Zi ka reaguar ndaj djegies së flamurit shqiptar, duke paralajmëruar maqedonasit që të heqin dorë nga akte të tilla.

“Provokimet maqedonase po kalojnë çdo kufi. Maqedonasit të mos guxojnë të prekin më flamurin kombëtar”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Duke vlerësuar se, me këto sjellje Maqedonia po i vë zjarrin vetes, Aleanca i ka bërë apel qeverisë maqedonase që të distancohet nga zjarrvënësit.

Më tej grupimi i ka drejtuar një apel Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian: “Ndaloni çmendurinë sa nuk është vonë”.

Ngjarja ndodh pas një seri incidentesh ndëretnike të regjistruara së fundmi në Maqedoni, që kulmuan me rrahjen barbare të 15 nxënësve shqiptarë.

Ngjarja në fjalë u pasua nga sulme ndaj dyqaneve të komunitetit shqiptar në Shkup, si dhe ndaj objekteve të tjera shqiptare në zona të tjera të Maqedonisë.

Të gjitha këto ndodhën pasi më herët një polic maqedonas vrau në Gostivar dy shqiptarë, pas një debati për parkimin e automjetit.

Dhuna, 28 persona nën hetim

Ndërkohë, Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankulovska deklaroi se 28 persona po hetohen për të gjitha rastet e dhunës me sfond etnik të ndodhura ditët e fundit në Maqedoni.

“Ne jemi të angazhuar maksimalisht për zbardhjen e të gjitha rasteve të dhunës dhe vendosjes para përgjegjësisë të autorëve të tyre. Ne duam t’u dërgojmë një mesazh të fortë të gjithë atyre që nxisin dhe ushtrojnë akte dhune të cfarëdolloj natyre qoftë ajo, se do të ndëshkohen sipas ligjit. Dhuna nuk mund të tolerohet, në cfarëdo rrethane qoftë ajo!”, deklaroi Ministrja Jankulovska.

Ministrja Jankulovska bëri njoftoi edhe urdhërin e fundit të lëshuar prej saj që detyron policët të shkojnë e të kthehen nga puna jo më me automjetet e policisë, por me autobusët publikë, masë e ndërmarrë, sic tha Jankulovska për të rritur sigurinë në transportin publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA