Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, ku janë rrahur barbarisht 15 nxënës shqiptarë.
Ngjarja ndodhi në autobusin që transportonte nxënësit e fshatit Çiflik, ku në automjet hynë 20 persona të maskuar të cilët kanë qenë autorët rrahjes së fëmijëve.
Nga raportimet e para bëhet e ditur se 3 prej 15 nxënëseve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të mërkurës.
Ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.
Kjo ngjarje vjen fill pas një tjetër episodi me karakter etnik në vendin fqinj, ku vetëm pak ditë më parë mbetën të vrarë dy shqiptarë të cilët u qëlluan nga policia maqedonase në qytetin e Gostivarit. Ngjarje kjo që shkaktoi reagimin e popullatës shqiptare.
Reagon “Zgjohu”: Të dënohen autorët
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë në Maqedoni, ku u rrahën barbarisht 15 fëmijë shqiptarë nga persona të maskuar, ka reaguar lëvizja qytetare “Zgjohu”.
“Jemi të trishtuar nga incidenti ku 15 nxënës shqiptarë u rrahën brutalisht. Solidarizohemi me familjet e fëmijëve dhe kërkojmë zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt. Të dënohen kriminelët që sulmojnë nxënës të pafajshëm dhe të pambrojtur”, thuhet në reagimin e lëvizjes, ndërsa theksohet se “Ngjarja ndodh pikërisht në ditën kur shqiptarët festuan 125 vjetorin e shkollës së parë shqipe”.
Top Channel