Zhdukja e Naim Dishos, protestë e AKZ-së

10/03/2012 00:00

Zhvillohet tubim i Aleancës Kuq e Zi në qytetin e Korçës. Krerëve të
kësaj force, u janë bashkuar qindra simpatizantë, të cilët kanë
protestuar para drejtorisë së policisë së këtij qyteti, duke kërkuar
arrestimin e të dënuarit për dhunimin e varreve të Boboshticës, Naum
Disho.

“Arrestoni dhunuesin e varreve. Naum Disho është dënuar nga drejtësia për dhunimin e varreve në Boboshticë”, thanë përfaqësuesit e Aleancës.

Në qendër të protestës ka qenë parrulla si: “Na kthe eshtrat, Gjeneral”.

Disa ditë më parë Aleanca Kuq e Zi reagoi me forcë ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm Grek, Stavros Dimas, i cili e konsideroi dënimin me një vit burg të Naum Dishos, për dhunimin e varrezave në Boboshticë, si një akt të turpshëm i drejtësisë shqiptare.

Aleanca i vlerësoi si “skandaloze sjelljen e autoriteteve greke, që ndërhyjnë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur”.

AK konsideroi si të turpshme edhe sjelljen e Tiranës zyrtare, “që heshti përpara kësaj përdhosje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar”.

Duke iu drejtuar autoriteteve greke, Aleanca i kërkoi Athinës që “të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon, për të vuajtur në Shqipëri dënimin e dhënë më parë nga Gjykata e Korçës”.

Naum Disho u dënua më parë gjatë vitit me një vit heqje lirie për dhunimin e varrezave të Boboshticës, me qëllimin e ngritjes së një kryqi për dy ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por ai u largua nga vendi pak ditë përpara se të ekzekutohej dënimi dhe besohet se ai ndodhet në Greqi, nën mbrojtjen e shtetit grek.

Top Channel