DASH: Vetëm frikacakët rrahin fëmijët

10/03/2012 00:00

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka dënuar
ashpër ngjarjet e fundit me sfond ndëretnik në Maqedoni, në veçanti atë
të rrahjes së fëmijëve shqiptarë.

“Ata që sulmojnë fëmijët apo nxënësit janë në të vërtetë frikacakët më të mëdhenj”, ka deklaruar Reeker në një takim me gazetarët kushtuar Ballkanit, në Uashington.

Zyrtari i lartë amerikan ka kërkuar që të ruhet qetësia dhe që në të njëjtën kohë të hetohet me kujdes ngjarja, duke zbatuar tërësisht ligjin.

Ai ka bërë të ditur se Ballkani vazhdon të jetë një prioritet i rëndësishëm për administratën amerikane dhe ka vlerësuar se paqja përfundimtare në rajon mund të arrihet vetëm me integrimin euro-atlantik.

 MPJ dënon dhunën ndaj nxënësve shqiptarë në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme dënoi me forcë dhunën e ushtruar mbi nxënësit shqiptarë në Shkup të mërkurën pasdite. 

Sipas një reagimi për mediat, shpërndarë të shtunën, MPJ beson në hetimin e plotë të kësaj ngjarje nga autoritetet e zbatimit të ligjit, vënien përpara drejtësise dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Ngjarje të tilla,  të cilat cënojnë harmonine dhe bashkëjetesën në Maqedoni, duhet të tejkalohen me qetësi dhe maturi nga shqiptarët dhe nga gjithë etnitë e tjera atje”, thuhet në reagim.

Nuk ndalin incidentet

Në Maqedoni gjatë natës së kaluar janë shënuar së paku tre incidente ndërnetike, dy në Shkup dhe një në Tetovë, informon MPB-ja, pa treguar identitetin e personave të përfshirë në to.

Kryeshefja e policisë Gordana Jankullovksa, para Komitetit për marrëdhënie ndëretnike në Parlament, tha se prej fillimit të vitit në Maqedoni janë shënuar 25 incidente.

Duke folur për rrahjen e para dy ditëve të nxënësve ajo tha se se disa persona të dyshuar janë marrë në pyetje, ndërsa po vijon procesi hetimor për zbardhjen e plotë të këtij incidenti.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, e thirrur për të diskutuar për situatën e fundit, ku u kërkua zbardhja e incidenteve, është shoqëruar me debate të ashpra. Deputetët e PDSH-së braktisën mbledhjen, të pakënaqur nga puna e Komitetit.

PS: Dhunimi i nxënësve, akt kriminal

Partia Socialiste e Shqipërisë denon ashpër sulmin ndaj nxënësve shqiptarë në Shkup.

“Dhunimi i nxënësve shqiptarë, të sulmuar e të rrahur në mënyrën më barbare për arsyen e vetme se janë shqiptarë, përbën padyshim jo vetëm një akt të papranueshëm kriminal, por edhe një sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në Europë dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike”, thuhet në një deklaratë të Partisë Socialiste.

Sipas selisë rozë, këto incidente duhet të shihen nga të gjithë si një këmbanë alarmi për kanosjen e bashkëjetesës demokratike në Maqedoni.

AKZ: Të arrestohen grupet terroriste maqedonase

Për këto ngjarje në Maqedoni reagoi më herët edhe Aleanca Kuq e Zi, e cilia sot kishte edhe njëvjetorin e krijimit. Në një deklaratë kërkohet që partitë shqiptare në vendin fqinj të solidarizohen me situatën.

“Dhuna ndaj nxënësve shqiptarë është një provokim etnik që duhet dënuar, ndaj kërkojme arrestimin e “grupeve terroriste maqedonase””, siç i cilësuan ata të rinjtë që ushtruan dhunë.

“Zgjohu”: Të dënohen autorët

Ndaj ngjarjes së rëndë reagoi edhe lëvizja qytetare “Zgjohu”, e cila shprehu trishtimin e saj për këtë ngjarje brutale.

“Jemi të trishtuar nga incidenti ku 15 nxënës shqiptarë u rrahën brutalisht. Solidarizohemi me familjet e fëmijëve dhe kërkojmë zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt”, deklaroi “Zgjohu”.

Lëvizja kërkoi që të dënohen “kriminelët që sulmojnë nxënës të pafajshëm dhe të pambrojtur”, ndërsa theksoi se ngjarja ndodhi pikërisht në ditën kur shqiptarët festuan 125 vjetorin e shkollës së parë shqipe.

Top Channel