Ulje e detyruar për avionin e nisur nga Rinasi

08/03/2012 21:00

Avioni i kompanisë ajrore “Air One”, i nisur të enjten pasdite në orën 15.00 nga aeroporti i Rinasit me destinacion Milanon, ka kryer një ulje të detyruar në Peskara.

Kjo pasi një nga pasagjeret pati një urgjencë mjekësore. Një grua 62-vjeçare pësoi një infarkt, ndërsa avioni ishte në fluturim në 10 mijë metra lartësi mbi territorin italian.

Fatmirësisht, në këtë linjë po udhëtonte edhe kardiolog shqiptar Altin Palloshi, i cili punon në një klinikë të Milanos, ndihma e të cilit bëri që 62-vjeçarja të zbresë në aeroportin e Peskarës, ku pritej nga ambulancat e spitalit të qytetit.

Pasagjerët që udhëtonin në avion thonë se edhe stafi dha ndihmë sikur të ishte një ekip mjekësor. Ndërkohë, kapiteni i avionit, Emilio Miskiati, ka bërë uljen e urgjente për rreth 10 minuta, duke bërë të mundur shpëtimin e jetës së udhëtares shqiptare.

Pas uljes së detyruar në Peskara, avioni është nisur drejt Milanos, ku të gjithë pasagjeret që udhetonin në të kishin edhe destinacionin final.

Top Channel