Grupi i punës: 1200 policë më shumë për strukturën e re

08/03/2012 00:00

Struktura e re e policisë ka futur në shumë pikëpyetje grupin e punës, i
cili mendon se për ta realizuar një fakt të tillë, duhet me patjetër që
të shtohen forcat policore.

Sipas të dhënave, policia shqiptare duhet të shtohet me afërsisht 1200 policë më shumë, ku 900 prej tyre mund të merren nga shkolla bazë e policisë, ndërsa pjesa tjetër nga shkrirja e funksioneve brenda strukturave aktuale, ose nga të liruarit nga policia, për shkak të shkurtimit të funksioneve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me këtë projekt synon që të rregullojë piramidën e organizatës, pasi shumë funksione janë hapur në postet e larta, ndërkohë që shumë pak punonjës policie ndodhen në terren, aty ku njerëzit kanë më shumë nevojë. Megjithatë, për të rregulluar këtë problem, nga të gjitha strukturat policore u kërkuan propozime për një strukturë të re, ndërkohë që tashmë është dhënë urdhër që projekti përfundimtar për të, të realizohet brenda pak ditësh. Burime nga grupi i punës thonë se gjatë studimit kanë lindur një sërë ngërçesh, pasi organizata aktuale nuk i plotëson disa nevoja, prandaj duhet shtim i numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë.

Një ndër këto ngërçe që sjell kërkesën për vende të reja pune në polici, është mosha. Sipas studimeve të bëra nga vetë policia, rreth 60% e organizatës së policisë janë më moshë mesatare 40–50 vjeç. Kjo nënkupton se nëse vazhdohet më ketë nivel, me strukturën e re, Policia e Shtetit nuk mund të realizojë misionin e saj në sigurimin e rendit e qetësisë publike, në luftën kundër krimit e kryesisht krimit të organizuar, ku kërkohen aftësi fizike, të cilat nuk mund t’i këtë një punonjës me moshë 50-vjeçare e lart, ndërkohë që 80 – 90% e punonjësve punojnë në këto nivele. Pra këta punonjës policie do të duhet të dalin në terren, gjë që dëmton misionin.

Një tjetër problem, mbetet edhe numri i ulët i punonjësve për poste të caktuara pune. Aktualisht ka shumë poste pune që punojnë me sistem 24 orësh, të cilat në 98% të rasteve janë vetëm 4 punonjës policie për një post, ku mesatarisht duhet të jenë mesatarisht 5.2 punonjës policie për një post. Ndërkaq, me strukturën e re, këto poste do të shtohen, kështu që kërkohet edhe shtimi i numrit të punonjësve të policisë. Sipas të dhënave të fundit, vetëm për plotësimin e javës 40-orëshe të punës, këta punonjës e tejkalojnë limitin prej 40 orë në muaj kohë shtesë. Madje, përllogaritet se ata kryejnë të paktën dhe 40-60 orë të tjera pune.

Gjithashtu, një tjetër nevojë për shtimin e numrit total të punonjësve të policisë është rritja e kriminalitetit. Nga studimet e kryera prej specialistëve të analizës, rezulton se pas vitit 1991 e në vazhdim, ngarkesa e punës së punonjësve të policisë është rritur në mënyrë të ndjeshme për shkak të rritjes së numrit të veprave penale kryesisht të krimit të organizuar, reduktimit të numrit të punonjësve në masën 55%, duke përkeqësuar raportin nga 1 punonjës për 200 banorë në vitin 1991, në 1 punonjës për 445 banorë në vitin 2011.

Kështu, duke përllogaritur të gjitha këto probleme kërkohet shtim i punonjësve të policisë. Një pjesë e tyre, kërkohet që të vihen në dispozicion nga rekrutime të reja, ndërsa të tjerë nga ristrukturimi, ose edhe nga punonjësit e policisë, të dalë në reformë, që janë në dispozicion. Por, për të realizuar këto ndryshime duhet miratimi nga qeveria dhe kjo nuk mund të realizohet nga vetë policia. Megjithatë, raporti përfundimtar për strukturën e re do të vendosë sesi do të veprohet me të ardhmen e organizatës së Policisë së Shtetit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel