Fatura e shitjes së Albpetrolit

06/03/2012 20:15

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi mes debateve të forta me votat e maxhorancës dy ligje që i hapin dritën jeshile shitjes së albpetrolit. Opozita, e cila votoi kundër kërkoi ndalimin e shitjes me kushtet që ka përcaktuar qeveria.

”Ne nuk do të asnjë pranojmë asnjëherë dhe në rast këto terma privatizimi për pasurinë më të madhe që Shqipëria ka, në atë që është pellgu naftëmbajtës më i madh në Europë. Nuk do të lejojmë që të menaxhohet, administrohet dhe keqpërdoret nga asnjë kompani private, sado prestigjioze qoftë kjo”, deklaroi deputetja socialiste, Mimi Kodheli.

”Ajo që ju po godisni është koncepti i privatizimit dhe e drejta e sektorit privat për të shfrytëzuar këto burime. Ju jeni për shtetëzimin, për zhdukjen e sektorit privat”, u kundërpërgjigj antari i maxhorancës në komision, Eno Bozdo.

Arben Malaj dhe Erjon Braçe nga opozita thanë se mënyra se si qeveria po e shet Albpetrolin i shkakton humbje të pallogaritshme shtetit shqiptar.

”Ky nuk është si rastet e tjera, që ju keni thënë do shesim kompaninë tek privati. Nëse privatizimi do të bëhet ashtu siç thoni ju, me këto të drejta që i hiqen shtetit për të kaluar tek blerësi, shqiptarët do të humbin me dhjetëra milionë euro në vit”, argumentoi Arben Malaj.

Nga ana e tij, Erjon Braçe, shtoi: ”Ne nuk jemi dakord që e drejta e hidrokarbureve që i takon shtetit shqiptar, t’i kalojë privatit. 50 milionë dollarë në vit kështu ia falim privatit”.

Arben Ahmetaj ilustroi përmes shifrave atë që sipas tij po falet përmes këtyre projektligjeve.

”Nëse bëjmë një llogari fare të shkurtër, i bie që në rezervë të kapshme të kemi 210 milionë fuci naftë të panxjerra mbi tokë. E shumëzuar me 70 dollarë mesatarja për fuci, shuma shkon në 15 miliardë dollarë pasuri. Çfarë jemi duke bërë? Kujt jemi duke ia falur atë pjesë që do t’i takonte buxhetit të të gjithë shqiptarëve?”, pyeti Ahmetaj.

”Projektligji nuk privatizon puset e naftës. Ai do të privatizojë vetëm një kompani, që sot është shtetërore dhe që nesër, pas procesit të privatizimit do të operojë si të gjithë kompanitë e tjera private. Rezervat, puset e naftës mbesin pasuri e këtij vendi. Puste nuk do të privatozohen”, u kundërpërgjigj Bozdo.

Qeveria thotë se dhënia e të drejtave për ndarjen e prodhimit kompesohen përmes çmimit të shitjes dhe taksave më të larta, që do të paguajë Albpetrol pas privatizimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA