Tryezat e PS për thithjen e ideve nga grupet e interesit, të cilat më pas do t’i bashkangjiten programit “Për një rilindje kombëtare”, kanë vijuar me kulturën.
Kreu i opozitës Edi Rama, premtoi një qasje të re ndaj kulturës duke e vendosur në kontekstin e një vendi që nëpërmjet krijimtarisë artistike, të ndërrojë edhe politikën ndaj kulturës.
“Kur kanë kaluar dy dekada, është e qartë për të gjithë se duhet ndërruar qasja e qeverisë ndaj sferës së kulturës dhe arteve”, deklaroi Rama.
Edi Rama i kërkoi grupit të punës të fokusohet në detajimin e kësaj pjese të programit, duke ndërtuar, siç theksoi ai, një proçes me sa më shumë pjesëmarrje dhe të bazuar sa më shumë në eksperiencat e deritanishme qoftë për të reflektuar, ose për të përfituar nga historitë e suksesit të njerëzve të kulturës dhe artit brenda dhe jashtë vendit.
Zoti Rama parashtroi edhe pikat kryesore se ku duhet përqendruar vëmendja e grupit të punës.
“Janë disa pika që mendoj se në programin për kulturën duhet të konsiderohen si pika referimi, duke filluar nga Shqipëria europiane, kooperimi kulturor në rajonin tonë dhe më gjerë si një shtyllë kryesore e politikave kulturore. Trashëgimia kulturore si një pasuri, e cila nuk mund të lihet më tutje në degradim. Administrimi kulturor si domosdoshmëri për të reformuar mekanizmin shtetëror për kulturën sot”, saktësoi Rama.
Më herët gjatë muajit, kreu i PS mblodhi tryezën e radhës ku vëmendja iu kushtua ish-të përndjekurve politikë, ku deklaroi se, me këtë kategori vetëm është abuzuar.
Ndërsa në fund të muajit të kaluar, tryeza e radhës iu kushtua çështjeve të mprehta sociale me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare, ku Rama akuzoi qeverinë Berisha dhe institucionet e varura prej saj se mashtrojnë me shifrat mbi varfërinë.
Top Channel