Integrimi, kur qeveria sillet si opozitë

03/03/2012 00:00

Skënder Minxhozi – A ka një mënyrë për të zgjidhur ngërçin disavjeçar që po mban të bllokuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë?

Ja një pyetje të cilën po e bëjnë gjithnjë e më shpesh në Bruksel. Por edhe në Tiranë, aty ku ndodhet vatra e krizës. Europianët, pala e tretë dhe e paanshme në sherr, kanë qenë mjaft aktivë për të zhbllokuar këtë situatë absurde, por edhe të prerë, kur ka ardhur puna për të vënë gishtin në plagë. Nëse i hedh një sy raporteve të institucioneve europiane, por edhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë, do të vëresh se aty ngarkohen me përgjegjësi të dyja palët: edhe pozita, edhe opozita.

Por pikërisht kjo puna e fajit duket se po kthehet në një estradë gjithnjë e më groteske, në sytë e gjithë miletit. Kryeministri ka pasur ditët e fundit një ide, të cilën e ka hedhur disa herë në eter, sipas stilit të tij të njohur polemist. Berisha ka thënë se mazhoranca s’mund të shkojë më tutje se kaq, në kërkimin e një gjuhe të përbashkët me opozitën dhe se këtë krizë tashmë do ta zgjidhin vetëm zgjedhjet e vitit 2013.

I bindur se ndoshta s’e kanë dëgjuar mirë që në herën e parë, Berisha e ka përsëritur deri në mërzi këtë frazë në ditët e fundit. E më në fund, me siguri që atë e ka dëgjuar një numër jo i vogël shqiptarësh dhe të huajsh. Po çfarë do të thotë me fjalë të tjera ky konkluzion i pazakontë i Kryeministrit?! Faktikisht ky konstatim dëshiron të nënvizojë disa gjëra njëherësh.

Së pari, Berisha po na njofton se nuk duhet pritur më asnjë progres i mëtejshëm në procesin e integrimit europian të vendit. Serbia (zjarrvënësja e dikurshme) e mori statusin e vendit kandidat, një shpullë e nxehtë për ne shqiptarët, “viktimat” e një herë e një kohe në Ballkan. Bisedimet me opozitën janë bllokuar, megjithëse socialistët kanë votuar një pjesë jo të vogël të ligjeve e kodeve me tre të pestat. Pra, fikni televizorin sepse shou mbaroi, thotë Kryeministri.

Së dyti, duke hedhur në treg një frazë të tillë fataliste, ai po na njofton se qeveria do të vazhdojë të bëjë opozitën, me kokëfortësi dhe pa u tërhequr asnjë centim. Vini re sesi sillet mazhoranca për çështjen e integrimit! Ajo e hedh të gjithë fajin mbi palën tjetër, paçka se drejton shtetin dhe megjithëse ka shumicën e votave në Parlament. Ajo ndërron artificialisht vendet me të majtën, me shpresën se ky truk do ta vendosë nën presion Ramën dhe aleatët e tij, përballë europianëve. Të sillesh si opozitë dhe të heqësh dorë nga detyrat që ke si mazhorancë, është një gjë shumë e shëmtuar në sytë e zgjedhësve të tu.

Së treti, Berisha po kërkon të na komunikojë një mesazh special. Në fakt, më shumë një dëshirë të tij jo edhe aq të fshehur. Ai po na kërkon, mes rreshtave, që të defaktorizojmë, sot një vit, përmes votës, të gjithë panelin e tij kundërshtar. Dërgojeni në shtëpi opozitën, që të integroheni, na thotë Berisha. Kësisoj, ai do të kishte mundësinë që ta vijonte procesin e integrimit pa një element të “bezdisshëm” në mes: opozitën plangprishëse!

Por Kryeministri bën sikur harron se sistemi zgjedhor që ai ka ngritur në këmbë bashkë me Ramën, nuk prodhon thuajse kurrë qeverisje të forta, që dominojnë opozita të dobëta. Me fjalë të tjera, edhe në zgjedhjet e ardhshme, është më se e mundshme që të ketë një shumicë të dobët dhe një pakicë të fortë. Pikërisht si kjo që kemi. Pavarësisht se cili do të jetë fituesi. Çfarë do të bëjë Doktori në atë rast? Apo do na thotë të presim sërish katër vjet, që ta dënojmë nga e para Ramën në zgjedhjet e vitit 2017?!

Të hedhësh sytë nga zgjedhjet, kur mbi tryezë ke një dosje delikate si ajo e integrimit, do të thotë t’i bësh bisht përgjegjësisë politike e institucionale, për të cilat je votuar. Shqiptarët s’mund ta zgjidhin ngërçin aktual mes partive. Ato kanë zgjedhur me votë partitë, që të zgjidhin këtë dhe të tjera sfida e situata delikate. Të njoftosh një vit e gjysmë përpara, se procesi i integrimit do të zgjidhet në zgjedhje, kjo është një provë direkte dhe e pakundërshtueshme, se nuk ke asnjë grimë vullneti për të kërkuar dhe gjetur konsensus për integrimin europian, gjatë periudhës kohore që na ndan nga zgjedhjet. Siç është thënë dhjetëra herë në të shkuarën, me sa duket heqja e vizave e zhvlerësoi politikisht pjesën tjetër të procesit, sipas mentalitetit hileqar të politikës shqiptare, se lëvizja e lirë do të ishte objektivi kryesor në rrugën drejt BE. Kjo bllokadë që po përjetojmë sot, mesa duket aty i ka rrënjët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel