Në Iran mbahen të premten zgjedhjet parlamentare, afati mbyllës i të cilave është shtyrë edhe me dy orë deri në orën lokale 21.00, për shkak të pjesëmarrjes së lartë të votuesve.
Lajmin e raportoi Televizioni Shtetëror Iranian. Më parë, në këtë media ishin transmetuar imazhet e liderit supreme të vendit, Ali Khamenei dhe presidentit Mahmoud Ahmadinejad, duke regjistruar votën e tyre.
Këto janë zgjedhjet e para në vend që prej protestave të shumta që ngjalli rizgjedhja e Ahmadinejadit në krye të vendit, në vitin 2009. Megjithatë, Partia Jeshile, lëvizja më e madhe opozitare, nuk ka marrë pjesë në votime, pasi liderët e saj mbahen në arrest shtëpie që prej shkurtit 2011.
”Është një e drejtë dhe detyrë për iranianët që të zgjedhin 290 përfaqësuesit e tyre në parlament”, deklaroi lideri supreme, Khamenei, në momentin e votimit. “Për shkak të presionit ndërkombëtar ndaj vendit tonë, është e rëndësishme që sa më shumë njerëz të paraqiten për të votuar, për t’i dhënë kështu një sinjal të fortë të gjithë vendeve perëndimore”.
Sipas të dhënave të pakonfirmuara zyrtare, pjesëmarrja në këto zgjedhje është më e larta në dekada. Më shumë se 48 milion persona kanë të drejtë vote në vendin aziatik me 75 milionë banorë.
Ndonëse zgjedhjet janë konsideruar të rëndësishme, është fakt që parlamenti ka fuqi të kufizuara dukshëm në Iran, një shtet ku fuqinë supreme e kanë ajatollahët (liderat fetarë) dhe ku presidenti gëzon një pushtet të gjerë pothuajse të pakufizuar.
Top Channel