Top Story, Olldashi: S’kemi frikë nga Topi

01/03/2012 00:00

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Konsensual apo nga mazhoranca? Kush janë emrat më të përfolur nga radhët e mazhorancës për këtë post? Përballimi i situatës së emergjencës së shkaktuar nga dëbora e dendur, largimi i Oketës nga mazhoranca, zgjedhjet e ardhshme, investimet në infrastrukturë, ishin temat kryesore të trajtuara në “Top Story”, emisionin e përjavshëm të drejtuar nga Sokol Balla.

Një ndër personazhet qëndorë të mazhorancës në shtatë vitet e fundit, Ministri i Transporteve, Sokol Balla, ishte ai që foli për të gjithë çështjet e aktualitetit, duke iu përgjigjur pyetjeve të një paneli të zgjedhur analistësh, si kryeredaktorja e Shqiptarja.com, Anila Basha, kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Albert Rakipllari dhe kryeredaktori i gazetës “MAPO”, Arjon Sula.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Olldashi ripërsëriti qendrimin e bërë publik edhe nga kryeministri Berisha, se presidenti ardhshëm do të dalë nga radhët e mazhorancës, e me shumë gjasa nga kryesia e Partisë Demokratike: “Presidenti do të dalë nga mazhoranca. Nuk është vendosur akoma por do të jetë me një opinion politik të shëndoshë nga mazhoranca. Ka një konsensus politik i 2008 që është në fuqi dhe është formësuar në nenet kushtetuese të vendit. Klasa politike duhet të respektojë ligjin, ne jemi të obliguar të respektojmë ligjin. Kushtetuta e vendit e ka të përcaktuar se si zgjidhet presidenti. Presidenti i përket mazhorancës, se mori votën popullore në 2009 dhe u rikonfirmua në 2011”.

Lidhur me qendrimet e ndërkombëtarëve për një president konsensual dhe për emrat e përfolur nga drejtuesit e lartë të PD-së, ministri Sokol Olldashi u shpreh: “Faktori ndërkombëtar ka thënë që zgjidhja duhet të jetë brenda kuadrit kushtetues. Konsensusi nuk është domosdoshmëri që ne të pranojmë kandidaturën e PS. Mazhoranca nuk ka ende një kandidat. Vetëm në një deklaratë Berisha ka thënë se cdo drejtues i PD plotëson kushtet për të qenë president. Si Topalli, si Bode ashtu edhe Beja janë 3 emra që i plotësojnë kriteret për të qenë president të ardhshëm”.

Sa i përket kandidaturës së Fatos Nanos, Olldashi tha se ajo ishte e papërshtatshme për shkak të distancimit të tij nga politika shqiptare. Megjithatë ai shtoi se nëse Nano do të propozohej në bazë të një vendimi politik të PD-së, do ta respektonte dhe do ta votonte Nanon, pavarësisht se personalisht nuk është dakort.

Duke u ndalur tek situata brenda Partisë Demokratike, për zërat për një “luftë” brenda forcës kryesore qeverisëse mes zyrtarëve të lartë të saj, si dhe tek largimi para pak ditës i Gazmend Oketës, ministri Olldashi deklaroi: “S’ka rivalitet mes meje dhe Bashës. Më vjen mirë që marrëdhënia ime me Bashën konkretizohet në punë për kryeqytetin përvec marrëdhënies njerëzore shumë të mirë me Bashën. Nuk ka konflikte të tilla në PD, s’ka përcarje. Ne jemi në një anije të përbashkët në PD, ku ka debat, ka opinione herë kështu e herë ashtu që janë pjesë e funksionimit të një partie të madhe”.

Ndërsa për mungesën e mbajtjes së zgjedhjeve për strukturat drejtuese të PD-së,zoti Olldashi tha se pavarësisht kësaj, zgjedhjet nuk kanë krijuar asnjë vakuum. Madje ai theksoi se nënkryetari, kryetari, këshilli dhe kryesia janë organe të mandatuara dhe brenda mandatit.

Rivaliteti me partinë e re që pritet të formohet në fund të këtij muaji e që do të udhëhiqet nga presidenti aktual, Bamir Topi në momentin që këtij të fundit do t’i përfundojë mandati në këtë post, dhe Aleancës KuqeZi, për zotin Olldashi nuk e shqetëson Partinë Demokratike. Kjo, tha ai, për disa arsye: Partia Demokratike nuk shqetëshet as për Topin as për numëroret e Topit. PD është e konsoliduar në pozicionin e vet kontrata jonë është me qytetarët shqiptarë. Topit iu dekonspirua vota, prandaj s’mund të marrë asnjë votë djathtas sot. Në momentin që votoi për Ramën, s’merr vota djathtas.

Olldashi u ndal tek largimi i Gazmend Oketës nga rradhët e mazhorancës: “Oketa, kemi dy fenomene gabimesh. U përjashtua Kastriot Islami, Oketa u largua me vullnetin e tij. Në argumentet e Oketës ka disa gjëra që nuk qendrojnë: pretendimi që ishte kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, kur ai i ka votuar ato Oketa. Oketa duhet të të dorëzonte mandatin e marrë me siglën e PD-së pastaj të vazhdonte jetën politike me partinë e re”.

Duke iu rikthyer presidentit Topi, Olldashi ripërsëriti akuzat e mazhorancës ndaj tij duke deklaruar se për pesë vite me radhë Bamir Topi ka punuar për të shkatërruar PD-në: “Topi në maj ishte me votë kundër Partisë Demokratike, në 21 janar ishte me pushkë me dorë kundër PD dhe këto rrethana e bëjnë Topin të mos pretendojë asnjë votë nga mbështetësit e djathtë. Nuk shqetësohemni as nga Topi as nga numërorët e Topit.

Projektet në infrastrukturë, taksat rrugore, emergjencat…

Projektet e rrugëve në ndërtim
Ministri e Transporteve ka thithur rregullisht më shumë fonde se kushdo Ministri gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila ka vendosur tek infrastruktura një përparësi absolute. Ministri Olldashi, në fillim të fjalës së tij, u përqendrua tek projektet e rëndësishme rrugore që po ndërtohen. ”Projekti kryesor I qeverisë është autostrada Tiranë-Elbasan, e cila po avancon shumë mirë. Gjithashtu, po përfundon mbyllja e disa projekteve që kemi nisur më parë, si segmenti Levan-Vlorë e Levan-Tepelenë. Gjithashtu po avancon puna në rrugën e Arbrit, deri në hyrjen e tunelit të Qafë Murrizit. Njëkohësisht, do të përfundojë në 2012-n dublimi I autostradës Durrës-Rrogozhinë”.

Kritikat për përballimin e situatës së emergjencës 
Zoti Olldashi iu përgjigj edhe kritikave për keqmanaxhimin e situatës së emergjencës kombëtare dhe bllokimeve të rrugës, gjatë problemeve të mëdha të shkaktuara nga rreshjet e dëborës në dy muajt e mëparshëm. “Rreshjet e dëborës deri në tre metra ishin të paprecedente për dimrat e mëparshëm në Shqipëri. Situata ishte shumë e vështirë, sidomos në autostrada, që kanë gjatësi rruge deri 28 metra dhe jo vetëm gjashtë metra si rrugët e tjera. Edhe borëpastrueset dalin jashtë loje kur bora është tre metra. Niveli pastrimit të borëpastruesve është deri 30-40 cm borë. Në situate të tjera, nevojiten buldozerë, fadroma, mjete me zinxhirë deri 3-4 metra. Një problem tjetër shqetësues, por jo I dukshëm për syrin, është ku do të çosh këtë borë sepse rruga ka skarpate dhe vështirësi teknike. Unë gjykoj se situate u përballua mirë. Me qindra mjete u vunë në punë dhe akset kombëtare u mbajtën hapur, me përjashtim të segmentit të Qafës Malit, që lidh Fushë-Arrëzin me Bajram Currin, por kishim rrugë alternative nga autostrada në Gjakovë dhe qyteti u furnizua lehtësisht”. Përballë pyetjeve dhe shembujve se ka patur bllokime të tjera shumë më të gjata, Olldashi përgënjeshtroi duke siguruar se ka qenë vetë në terren dhe se asnjë rrugë tjetër kombëtare, veç Qafë Malit, nuk u bllokua për më shumë se disa orë.

Reduktimi i fondeve për rrugët përballë krizës
Duke u përqendruar tek ngecja e disa projekteve dhe zvogëlimi i fondeve për Ministrinë e Punëve Publike, Zoti Rakipllari vendosi në diskutim shifrat e publikuara nga qeveria, kur pyeti Ministrin Olldashi se si do të shpenzohen 698 milionë dollar të planifikuara për rrugët, kur në janar u lëvruan vetëm 17 milionë dollar të këtij fondi.  “Kemi një buxhet që miratohet në Kuvend dhe sivjet do përdoren 26,5 miliardë lekë për rrugët nacionale. Shifrat që thatë ju është e përgjithshmja, por po përqendrohem vetëm tek rrugët. Në bazë të ligjit të buxhetit, ne planifikojmë në marrëveshje me financat, se sa do të paguhet çdo muaj, sepse nuk mund të harxhohet I gjithë buxheti që në janar, sepse financat smund të sigurojnë para në dorë që në fillim. Për mua s’ka shqetësim në këtë fazë, çfarë kemi planifikuar shpenzime për janar-mars, I kemi të garantuara. Po depozitojmë faturat në thesar dhe ato po shlyhen normalisht. Ju them me siguri që ajo statistikë që ju përmendni, që nuk e vë në diskutim që është e saktë, për ne nuk përbën shqetësim. Sigurisht që po bëjmë më pak shpenzime në rrugë se sa më parë, si në 2008-n kur ishte piku, sepse s’mund të bëjmë sikur se kuptojmë çpo ndodh rrotull, me dy partnerët kryesorë, Greqinë dhe Italinë, që janë në krizë. Jemi të detyruar të jemi të kujdesshëm, me borxhin nën 60% dhe borxhin nën kontroll. Rritja 3,5% është pozitive dhe në kohët e krizës kemi mbajtur rritjen pozitive, prandaj është e qartë që në Shqipëri nuk ka krizë, por nuk mund të bëjmë si Robinson Kruzo në ishull dhe të injorojmë atë që ndodh përreth nesh”.

Variantet për Rrugën e Kombit, kriza energjitike dhe buxheti
Kriza energjitike mund të ndryshojnë buxhetin dhe planin e investimeve në vend. Këtë e pranoi Zoti Olldashi, I pyetur për situatën e mungesës kronike të energjisë së prodhuar brenda vendit në këtë moment. “Është e vërtetë që situata energjitike nuk ka qenë e mirë dhe kjo ka bërë që qeveria të konsiderojë mundësinë e blerjes së energjisë me fonde buxhetore. Nqs do të duhet të blejmë energji elektrike me fonde të buxhetit, sigurisht që do të preket dhe do të shkojkë përsëri në parlament dhe nëse do të ndodhë, edhe fondet tona do të përdoren. Presim të kompensojmë diçka nga privatizimi, nga e gjithë paketa që ka Ministria e Ekonomisë në shqyrtim”.

A ishte varianti i duhur me katër korsi ai për rrugën Durrës-Kukës? “ Për mua, të ishte ndërtuar edhe hekurudha, sepse do të rivitalizonte rrjetin tonë hekurudhor”, u shpreh Olldashi, që kundërshtoi besimin se rruga nuk përdoret në maksimum, për shkak të mungesës së kapacitetit të Portit të Durrësit. “Durrësi ka një kapacitet përpunues prej 11 milion tonë mallrash në vit. Sot përdor 4,5 milion tonë mallra, pra më pak se gjysmën e kapaciteteve. Nuk është fluksi I vogël, ai ka ardhur gradualisht në rritje, ndërsa efektshmëria e rrugës, sipas studimeve ndërkombëtare, sjell rreth 50 milion euro në vit…. Sot kalojnë 7 mijë makina në ditë, mesatarisht, ndërsa përpara se të bëhej rruga, kalonin vetëm 1 500”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA