Bombë në Stamboll, plagosen 10 persona

01/03/2012 00:00

Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur në një shpërthim që ka dëmtuar
rëndë një autobus policie në qytetin e Stambollit, në Turqi.

Shpërthimi, i shkaktuar nga një bombë, ka ndodhur në afërsi të selisë së partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim. Sipas BBC, pesë nga të plagosurit janë oficerë policie, me shërbim në një qendër biznesi pranë vendit të ngjarjes.

Shefi i policisë së Stambollit, Huseyin Capkin ka deklaruar se shpërthimi është realizuar me një telekomandë në distancë.

“Rezulton se bomba shpërtheu sapo automjeti i policisë me 21 oficerë në bord kaloi pranë”, deklaroi zyrtari i lartë i forcave të rendit. Për fat të mirë, asnjë nga të plagosurit nuk është në gjendje të rëndë.

Dëshmitarë të ndryshëm kanë deklaruar për televizionin publik turk se shpërthimi mund të jetë shkaktuar me një motor-bombë. Ekipet e policisë shkencore kanë nisur analizimin e skenës së krimit.

Për momentin asnjë grup ekstremist nuk ka marrë përsipër sulmin, pavarësisht se televizioni publik e lidh ngjarjen me një shpërthim të ndodhur vitin e kaluar, ku mbetën të plagosur 8 persona. Atëherë, rebelët kurdë u fajësuan për shpërthimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA