“Costa Allegra” ankorohet në ishujt indianë

01/03/2012 00:00

Anija italiane e dëmtuar “Costa Allegra” është ankoruar në ishujt e
oqeanit Indian, Seychelles. Anija u shoqërua deri në portin kryesor,
Victoria, nga një peshkarexhë franceze.

Anija turistike, e cila humbi fuqi ditën e hënë, është e të njëjtit lloj si “Costa Concordia”, që u përmbys në brigjet italiane në janar, duke vrarë 32 persona.

Mbi 1 mijë pasagjerë ndodhen në bordin e saj dhe evakuimi i tyre pritet të zgjasë disa orë. Pasagjerët, të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor, do të jenë të parët që do të evakuohen.

Personat në bord kanë kaluar tre ditë pa energji elektrike dhe ushqime, përveç disa furnizimeve që u janë dhënë me helikopter.

Në anije nuk ka punuar gjithashtu ajri i kondicionuar dhe shumica e pasagjerëve i kanë kaluar ditët e bllokimit në kuvertë për të përfituar nga freskia e detit.

Për të gjithë ata është organizuar akomodimi, por shumica e hoteleve janë me dhoma të zëna dhe për rrjedhojë shumica e tyre do të nisen menjëherë drejt Italisë.

Në ishujt Seychelles janë ulur avionë për të transportuar sa më shpejt në atdhe pasagjerët e anijes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA