Siri, përgatitet një rezolutë e re

29/02/2012 10:30

Një rezolutë e re po hartohet nga fuqitë perëndimore e përqendruar në ndihmën humanitare për Sirinë, me shpresën që Rusia dhe Kina nuk do t’i kundërvihen një dokumenti që nuk përfshin sanskione ekonomiko-politike, siç kanë bërë më parë.

Ndonëse dokumenti është ende në fazat e para të përgatitjes, rrethe diplomatike shprehen se Kina ka shfaqur një mbështetje paraprake, duke premtuar aprovimin e saj, nëse rezoluta do të mbetet e përqendruar vetëm në çështjet humanitare.

Lëvizja vjen pasi të martën, gjatë punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u konfirmua numri i 7 500 viktimave, që prej fillimit të kryengritjes në Siri. Ndërkohë, forcat siriane vazhdojnë sulmin mbi Homsin dhe zona të tjera.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca janë dy vendet që kanë bashkuar përpjekjet e tyre në hartimin e rezolutës së përbashkët, që synon të sjellë paqen në vend duke imponuar kushte të tërthorta politike.

“Një tekst është hartuar tashmë, ndonëse ai nuk është përfundimtar. Amerikanët janë treguar të kujdesshëm për ta ndërtuar rezolutën e tyre në një mënyrë të tillë që të mos ngjallë asnjë kundërshti dhe të detyrojë vendet e tjera që ta pranojnë”, u shpreh një diplomat për “BBC”.

Tre gazetarë, Edith Bouvier (e plagosur), William Daniels dhe Javier Espinoza besohet se kanë mbetur në kurth në qytetin e Homsit, vatër e rezistencës kundër regjimit të Al-Assad dhe si rrjedhojë, i bombarduar në mënyrë të përditshme nga forcat qeveritare.

Fotografi i “Sunday Times”, Paul Conroy, u transportua fshehurazi për në Liban ditën e martë, por operacioni i kushtoi jetën 13 aktivistëve opozitarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA